Arritja e Marrëveshjes Kosovë – Serbi më 2019, e vë Kosovën përballë sfidave të vështira dhe të rrezikshme

09.02.2018 12:14:59

Nga Rexhep Kastrati

Edhe në strategjinë për Ballkanin Perëndimor, por edhe në deklarime të ndryshme të përfaqësueseve të BE-së, është bërë e qartë se deri më 2019 duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte noralizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe do të hapte perspektivë integurse për to.

Afatizimi i këtillë do të dukej si një strategji dalëse e BE-së nga një proces negociator, i cili filloi si një proces dialogu teknik, por u shpërfaq de facto si vazhdim i negociatave politike të Vjenës kur edhe u hartua Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, megjithatë i ka sfidat dhe trysnitë mbi palët, sidomos mbi Kosovën.

Sfida kryesore për palët, gjithsesi është vetë marrëveshja përfunditare, e cila mund të jetë shumë e rrezikshme, sidomos për Kosovën, pasi që mund të jetë marrëveshje  që diktuar nga fakti se Kosova do të jetë e detyruar të bëjë kompromise edhe më të rënda se në Pakon e Ahtisarit, marrë parasysh edhe tërësinë e marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e këndej, si dhe marrë parasysh edhe faktin se Kosova vazhdon të jetë nën Rezolutën 1244, e që përcakton edhe pozitën e gjithëbarshme të saj, si dhe qëndrimin e disa shteteve anëtare të BE-së ndaj Kosovës.

Në këtë kontekst, këto shtete dhe vetë Zyra e komisionerit Hahn, kanë shpërfaqur herë pas here qëndrime të diskutueshme dhe jo të dobishme për Kosovën. Vetëm pak ditë më parë, Spanja ishte shprehur se Kosova mund të bëhet pjesë e BE-së vetëm si rajon gjeografik i Serbisë. Komisioneri Hahn, në Samitin e mbajtur në Sarajevë kishte tumirë strategjinë serbe për rikthim në Kosovë nëpërmjet sistemit doganor të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, e ku Kosova do të trajtohej në bazë të rezolutës 1244. Kjo ishte refuzuar nga kryeministri Mustafa, ashtu siç ishte refuzuar edhe strategjia për tregun e përbashkët ballkanik, pasi që ishte kushtëzuar me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe Bosnja.

Pikërisht njohja e Kosovës nga Serbia, e që do të hiqte pengesën për njohjen nga shtetet anëtare të BE-së dhe që do t’i hapte rrugë dhe perspektivë anëtarësimi në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, nuk është kusht për Serbinë, e që është sfida kryesore, por edhe arsyeja kryesore e trysnisë mbi Kosovën për kompromise të rënda, por edhe arsye për angazhime të plota dhe të forta të Serbisë, të Rusisë dhe të aleatëve të tyre për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin, e që do të jenë një intensifikim i angazhimeve të gjertanishme, sidomos të tilla si më 2015-2016.

BE, me Kapitullin 35 nuk e detyron Serbinë ta njohë Kosovën, por e detyron që të zbatojë marrëveshjet e Brukselit dhe në një farë mënyre, siç ka thënë edhe ish-presodenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ta braktisë Kosovën, kurse është përmendur edhe modeli i dy Gjermanive. Po ashtu, edhe çështja e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë sfidë më vete, për të dyja vendet. Këto gjithsesi përbëjnë sfidë për Serbinë, e cila ka dëshmuar se është e aftë të eksportojë destabilitet dhe të shmangë ballafaqimin me këtë Kapitull, me çështjen e demarkacionit, si dhe me ndikimin në shoqërinë dhe politikën serbe

Në këtë kontekst, Serbia ka avantazhe të mëdha, pasi që në Kosovë ka një Qeveri që mund ta rrëzojë kur të dojë dhe ta fusë atë atë sërish në një krizë institucionale, kur edhe vetë negociatat në Bruksel do të shtyheshin. Po ashtu, Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre do të bëjnë trysni mbi Kosovën dhe mbi stabilitetin e saj nëpërmjet këmbënguljes për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, e që sërishmi do të shërbejë si bazë për trazira të mundshme në Kosovë. Përveç këtyre, dhe duke u bazuar edhe në këto, por edhe duke u munduar ta shesë shtenjtë gjoja gatishmërinë e saj për të normalizimin e marrëdhënieve, do të mundohet të imponojë marrëveshje të tjera të rënda për Kosovën, e të cuilat, po ashtu, do të shërbejnë si bazë për trazira të mundshme dhe destabilizuese për Kosovën.

Përballë sfidës për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia përveç avantazhit që ka me rezolutën 1244 dhe me moskushtëzimin e anëtarësimit të saj në BE me njohjen e Kosovës, Serbia ka shërfaqur qëndrimin e saj në OKB se duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi për statusin e Kosovës, kurse përfaqësuesi rus ftoi shtetet që e kanë njohur Kosovën të shohin se projekti i vitit 2008 për pavarësinë e Kosovës, është një projekt e dëmshëm dhe të tërheqin njohjet.

Pra, është e qartë se Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre, gjatë vitit 2018 – 2019 do të bëjnë gjithçka që të pengojnë njohjet e shtetit të Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur, do të përpiqen t’i bindin shtetet tjera që e kanë njohur tashmë Kosovën, të tërheqin njohjet, duke e ndihmuar këtë edhe me eksportin e destabilizimit të Kosovës dhe të rajonit, ashtu siç bënë më 2015-2016, për të penguar pranimin e Kosovës në UNESCO, kur edhe disa shtete që e kanë njohur Kosovën, kanë votuar kundër, apo edhe kanë abstenuar.

Gjithë strategjia destabilizuese e Serbisë, e Rusisë dhe e aleatëve të tyre do të bazohet në rekrutë shqiptarë të agjenturave të tyre, në strukurat mafiozo-politike që kontrollojnë parti dhe institucione të Kosovës, e të cilat kanë qenë mbrapa të gjitha zhvillimeve desabtilizuese gjatë viteve 2015-2016, por edhe gjatë viteve të tjera. Këtë e kam thënë vazhdimisht dhe në kohë, edhe kur disa sharlatanë që e kanë tash plot gojën akuza për implikime të Rusisë në ngjarjet e atyre viteve, në kohën kur ndodhnin, ishin aleatë të fuqishëm, frymëzues dhe përkrahës të fuqishëm të atyre zhvillimeve destabilizuese.

Pra, në kushtet kur është bërë një afatizim për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të pritet që dinamika e anagzhimeve serbe, ruse dhe e aleatëve të tyre në Kosovë të jetë më e  madhe dhe më e rëndë, e që nuk përjashton asnjë formë të anagzhimeve të tilla. Afatizimi i këtillë, edhe pse i domosdoshëm për të mos çuar në pafundësi një proces negociator që ka filluar më 2011, do të përshpejtojë ato që i kam paralajmëruar qysh gjatë vitit 2017, e që kanë të bëjnë me angazhime për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit në funksion të ndryshimit të kufijve në dëm të shqiptarëve.

Aleksandër Vulin, të cilin qysh më 2015 e kam identidikuar dhe kosnderuar si personin kyç në anagzhimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, e tha vetëm pak ditë më parë se duhet të ndahet Kosova, duke riaktualizuar edhe një herë këtë synim të hershëm serb. Sigurisht, edhe pse mbetet një nga synimet strategjike të Serbisë, megjithatë, ky mund të jetë edhe një taktizim i Beogradit për ta paraqitur një model të Republika “Srpskës”, si zgjidhje minimale dhe kompromisi, me të cilën do të mund të kushtëzohej normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Të gjitha këto do të varen shumë nga cilësia qeverisëse në Kosovë, nga stabiliteti apo destabiliteti, nga faktorë dhe mundësi për tensionim të marrëdhënieve ndëretnike, e që nuk përjashton as vazhdimin e vrasjeve të ndonjë serbi, të prishjes së ndonjë faltoreje, të ndonjë varreze serbe etj., por edhe nxitja e sërishme trazirave si gjatë viteve 2004, 2015-2016. Natyrisht, zhvillimet rreth Gjykatës Speciale, përkatësisht pasojat që mund të kenë arrestimet për llogari të saj në unitetin e shoqërisë sonë dhe stabilitetin e vendit, do të jenë sfidë për Kosovën dhe një mundësi tjetër për Serbinë për të nxitur destabilitet.

Gjithsesi do të mbetet të shihet edhe qëndrimi i BE-së për sistemin doganor dhe tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor dhe trajtimi i Kosovës në kuadër të saj.

Krejt në fund duhet thënë se Kosova do të jetë para sfidave tepër të rënda, destabilizuese, kurse Serbia do të përpiqet të shfrytëzojë rezolutën 1244 të KS të OKB-së, mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtete të BE-së, por edhe trajtimin e pabarabartë që Kosovës i bëhet në nismat rajonale dhe më gjerë, që marrëveshja e vitit 2019 të jetë më e rëndë se e vitit 2013, dhe më e favorshme për Serbinë.