Arta Dade: Qejfmbetja ime me Edi Ramën, ja çfarë ka ndodhur në PS

30.10.2019 17:28:54
Kryetari i PS Edi Rama, deputetet Sajmir Tahiri dhe Arta Dade, gjate Kongresit te Forumit te Gruas te Partise Socialiste, ne Pallatin e Kongreseve.

Një nga emrat më të vjetër të Partisë Socialiste, që ka mbajtur edhe funksionin e ministres së Jashtme për disa vite ka komentuar situatën politike në vend, qëndrimet e kryeministrit Rama, por edhe një largim të tij për çfarë nuk është bërë për gjithë këto vite.

Arta Dade ka pohuar në “Top Talk”, se ka plot emra edhe jashtë Grupit Parlamentar për të qenë në postin e kryeministrit, por pa dhënë një emër konkret. Për Daden, deri në vitin 2008 ka pasur respektim të statutit dhe vendimeve të Kryesisë së Partisë, ndërsa tashmë janë shkelur nenet e statutit, vendimet e Kryesisë, apo mbledhjet e Asamblesë.

Ajo thotë se ka një shkelje të demokracisë së brendshme të Partisë, teksa iu referua për këtë listave të deputetëve. Dade pohoi se nëse do ishin bërë të gjitha këto sipas rregullave statutore nuk do kishim kandidatë me rekorde kriminale, apo pa kontribut real politik.

Për të gjithë këto, Arta Dade fajëson kryeministrin Rama, ndërsa shtoi se flamurin e dekriminalizimit e mori një parti e kriminalizuar, duke iu referuar opozitës, e cila ka kryer krime të rënda në vitin 1996-1997 dhe në 1998.

Lidhur me një qejfmbetje personale, Arta Dade e mohoi këtë. “Nuk kam asnjë qejfmbetje personale. Kam qenë kryetare e Komisionit të Jashtëm dhe kam mbajtur qëndrimet e mia lidhur me Diplomacinë në vend. Kam dhënë dorëheqjen si anëtare e kryesisë, për shkak të shkeljes së demokracisë së brendshme” – tha Dade. Ajo shtoi se ishte zëri i vetëm në Grupin Parlamentar që ishte kundër Ramës.

“Rama duhet të ishte më praktik dhe më pragmatist. Jam kritike si bëhet politika e jashtme, si bëhet politika. Pse nuk e dha dorëheqjen kryeministri, pse duhet të flasë në Senatin Amerikan Ambasadorja e Ardhshme e SHBA në Shqipëri, e cila thotë se do ulë palët në tryezë” – pohoi Arta Dade për “Top Talk”.

“Do mbështes brezin e ri në politikë, nëse do të kemi një rikrijim të së majtës europiane” – deklaroi Arta Dade në mbyllje të “Top Talk”, me gazetarin Denis Dyrnjaja, në përgjigje të pyetjes nëse ka nisur “pensionimin politik”, apo do të mund ta shohim në angazhime të tjera.