Athina u shkrumbua në 24 orë, dalin pamjet post-apokalips

24.07.2018 13:52:54

Prej vitesh mendohej se çështja e zjarreve ishte zgjidhur në Greqi dhe tragjedia e 2007-ës nuk do të përsëritej kurrë më, por ajo çka ndodhi në Athinë gjatë 24 orëve ishte vërtet e frikshme.

Pjesa më e madhe e zonës së Atikës, një atraksion i mbipopulluar në kryeqytetit helen u bë shkrumb e hi dhe deri më tani regjistrohen 60 viktima dhe mbi 150 të plagosur, mes të cilëve edhe fëmijë në gjendje të rëndë.

Dëshmitë nga terreni flasin për frikë, tmerr dhe kufoma të djegura brenda shtëpive. Realisht gjendja që po përjeton fqinji jugor është e rëndë dhe ankthi është transmetuar në Shqipëri, pasi dyshohet për viktima mes komunitetit të emigrantëve në Atikë.

Era që arriti deri në 80 km/h e shtyu zjarrin me shpejtësi dhe nuk u lejoi njerëzve mundësinë t’ia mbathnin duke ngecur brenda automjeteve, ku janë gjetur shumë viktima, madje edhe trupa të dekompozuar të  përqafuar.

E teksa makthi duket se ka marrë fund, pasi flakët po lokalizohen, mediat greke kanë shpërndarë një video me dron të filmuar nga ushtria që tregon se gjysma e Athinës është kthyer në një “kufomë”.