Autoritetet serbe ndalojnë dy pjesëtarë të FSK-së në Jarinje, reagon Haradinaj

19.01.2019 12:15:05

Autoritetet serbe vazhdojnë të ndalojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, të komunitetit jo shqiptar, sa herë që ata provojnë të kalojnë kufirin Kosovë-Serbi.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se sot, autoritetet serbe kanë ndaluar në vendkalimin kufitar në Jarinje pjesëtarët e FSK-së, Alen dhe Anel Ujkanovic.

Haradinaj ka kërkuar nga autoritetet serbe lirimin e menjëhershëm të tyre.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Në vazhdën e presioneve dhe persekutimeve çnjerëzore ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, sot në vendkalimin kufitar shtetëror në Jarinjë, nga autoritetet serbe janë ndaluar Alen dhe Anel Ujkanovic. Ndalimi i tyre është tërësisht i papranueshëm dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre. Rastet si ky, popullit të Kosovës i kujtojnë kohën dhe regjimin e Milloshevicit, i cili si duket ende jeton tek fqinji ynë Verior”, ka shkruar Haradinaj.