Avdullah Hoti kërkon zgjedhje

30.03.2018 10:57:11
????????????????????????????????????

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në fjalën e tij gjatë vazhdimit të seancës së Kuvendit, ka folur lidhur me arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

Hoti ka treguar se LDK-ja është kundër trajtimit të tillë të shtetasve turq, duke shtuar se ata nuk kanë pasur asnjë problem me ligjin në Kosovë.

“Ata njerëz kanë pasur leje të qëndrimit në Kosovë, nuk kanë qenë të ndjekur në Kosovë. Ne si Grup Parlamentar do të kërkojmë përgjegjësi lidhur me këtë. Kryeministri i vendit nuk ka kontroll mbi institucionet e vendit. Presidenti Hashim Thaçi ka tejkaluar kompetencat e tij, nuk është hera e parë që ai kalon kompetencat”, u shpreh Hoti,

Hotit nuk i duket i mjaftueshëm shkarkimi i ministrit të brendshëm, Flamur Sefaj nga kryeministri Haradinaj. Hoti ka përsëritur sërish kërkesën e kësaj partie që vendi të shkojë drejt një procesi të ri zgjedhor.

“Nga sot shteti i Kosovës hyn në një situatë të re, duhet të ulemi të dakordohemi për datën e zgjedhjeve”, deklaroi Hoti.