Avdullah Hoti: Koalicioni qeverisës dëshiron të ikën nga drejtësia

Avdullah Hoti: Koalicioni qeverisës dëshiron të ikën nga drejtësia

23.01.2018 00:39:02

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti mendon se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet ndalur, ndryshe, sipas tij, do të rrënojë shtetin.

Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti thotë se shteti po rrënohet nga qeveria aktuale.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Hoti ka paralajmëruar për pasojat, të cilat sipas tij, mund t’i ketë vendi, nëse një qeverisje e tillë do të vazhdojë.

Në radhë të parë sipas Hotit, Kosova rrezikohet nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Ky koalicion qeverisës do ta rrënojnë shtetin nëse nuk ndalet”, shkruan Hoti në Facebook.

“Dëshiron të ikë nga drejtësia ndërkombëtare duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, shkruan Hoti duke iu referuar të këqijave nga të cilat sipas tij, vendi po rrezikohet nga qeverisja aktuale.

“Dëshiron te ikë nga drejtësia vendore duke nxjerrë ligj për të amnistuar deputetët që kanë kryer vepra penale”, shkruan tutje ai.

Projektligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale,  është propozuar nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës më 22 dhjetor të vitit të kaluar.