Avdullah Hoti, para deputetëve: Bartja e maskave është obliguese në ambiente të hapura dhe të mbyllura

13.07.2020 16:20:13

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është duke raportuar në Kuvendin e Kosovës për situatën me koronavirusin në vend.

Në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti, është duke raportuar para deputetëve, në lidhje me veprimet që ka marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirsuit.

Hoti ka thënë se duke e parë që javëve të fundit është rritur numri i të infektuarve dhe të vdekurve me koronavirus, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendime të reja gjatë mbledhjes të së hënës.

Hoti para deputetëve ka theksuar se për të gjithë qytetarët e Kosovës bartja e maskave është obliguese dhe ajo duhet të bëhet si në ambiente të hapura ashtu edhe të mbyllura.

“Obligimi i të gjithë banorëve të mbajnë maska në të gjitha ambientet e hapura dhe të mbyllura, duke përjashtuar vetëm ambientet e banimit”, theksoi Hoti, raporton më tutje

Ai po ashtu ka treguar edhe për vendimet e tjera që ka marrë sot Qeveria e Kosovës, ku ndër të tjerash ndalohet edhe tubimi i më shumë se pesë persona, ndalimi i funksionimit të çerdheve publike dhe private, me ç’rast theksoi se e kanë liruar njërin prind nga puna.

Kreu i ekzekutivit tha po ashtu se ndalohet edhe puna me orar të plotë në gastronomi, qendra tregtare. Kurse bëri të ditur se ndalohen atraksionet sportive e kulturore në ambiente të mbyllura. Po ashtu ndalohen edhe tubimet dhe ceremonitë fetare si dhe tregjet publike të veturave dhe kafshëve.

Hoti bëri të ditur po ashtu se janë gjithsej tetë komuna në të cilat ka kufizim të lëvizjes së lirë nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.