Avokatët e ish-presidentit Trump mohuan se ai nxiti trazirat në Kapitol

13.02.2021 13:19:00

Avokatët e ish-Presidentit Trump përmbyllën të premten argumentet e tyre mbrojtëse pas një seance tre-orëshe. Ata e mbrojtën ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të premten gjatë gjyqit të tij të dytë në Senat, duke mohuar se ai ndihmoi në nxitjen e një sulmi vdekjeprurës të turmave ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe duke argumentuar se gjyqi është një “gjueti shtrigash”, i frymëzuar politikisht dhe i paligjshëm.

Avokatët paraqitën argumentet e tyre për gati tre orë rresht të premten, duke zgjedhur të mos shfrytëzojnë plotësisht totalin prej 16 orësh të vëna në dispozicion për mbrojtjen.

“Akuza para Senatit është një akt hakmarrjeje politike të padrejtë dhe haptazi antikushtetuese”, tha avokati i Trump, Michael van der Veen.

“Si çdo gjueti shtrigash e motivuar politikisht nga e majta, e cila është angazhuar gjatë katër viteve të fundit, ky proces është plotësisht i ndarë nga faktet, provat dhe interesat e popullit amerikan”, shtoi van der Veen.

Avokatët e Trump u thanë senatorëve se ish-presidenti kishte të drejtën të kundërshtonte humbjen e tij në zgjedhje përballë Presidentit Joe Biden dhe se fjalimi 70-minutësh i Trump vetëm disa minuta para rebelimit të 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara nuk përbënte nxitje të dhunës.

“Retorikë e zakonshme politike”

Kur ish-Presidenti Trump nxiti mijëra mbështetësit e mbledhur të “luftonin fort”, mbrojtja tha se nuk ishte ndryshe nga përdorimi i retorikës së ngjashme nga demokratët që mund të shkaktonte dhunë.

“Kjo është retorikë e zakonshme politike që praktikisht nuk dallohet nga gjuha që është përdorur nga njerëzit në të gjithë spektrin politik për qindra vjet”, tha van der Veen.

Avokatët e ish-Presidentit Trump luajtën një video-montazh të gjatë që shfaqte zyrtarë të lartë demokratë, përfshirë Nënpresidenten Kamala Harris, Senatoret Elizabeth Warren dhe drejtuesin e demokratëve në Senat, Chuck Schumer, duke përdorur fjalën “luftë” pa asnjë kontekst.

Në video u shfaqën edhe ligjvënësit demokratë që shërbejnë si përfaqësuesit e akuzës për dënimin e ish-presidentit për nxitjen e trazirave.

Avokatët e ish-presidentit kanë thënë se retorika e tij ishte e mbrojtur nga garancia e fjalës së lirë të Kushtetutës amerikane dhe se prokurorët nuk kishin arritur të vërtetonin një lidhje të drejtpërdrejtë të veprimeve të protestuesve me fjalimin e Trump.

Avokatët e ish-presidentit Donald Trump thanë se u duhet vetëm një ditë për të paraqitur çështjen e klientit të tyre në gjyqin para Senatit amerikan.