Muri i ngritur në Mitrovicë të veriut, që për autoritetet zyrtare në Prishtinë është ilegal dhe ndarës, pritet të rrënohet në muajin shkurt, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri.
Për këtë çështje, ai ka treguar se është duke biseduar me zyrtarë të Bashkimit Europian, por edhe me autoritetet lokale të Mitrovicës veriore. Bahtiri ka thënë se me ndihmën e BE-së ky mur do të rrënohet në, siç është shprehur ai, “paqe”.
“Muri do të hiqet për arsye, se muret nuk kanë vend nëpër qytetet e Kosovës dhe Evropës, sepse unë mendoj se Kosova do të bëhet Evropë dhe muret e tilla nuk na dërgojnë askund. Ata që e kanë ndërtuar murin, ata duhet ta rrënojnë atë. Dhe, unë kam kërkuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, që ta bëjë një gjë të tillë, për arsye se është në interesin e tyre, por edhe në interesin e përgjithshëm që një herë e përgjithmonë të lirohet qyteti, të lirohet qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mos të sinjalizojmë barrikada por të sinjalizojmë paqe”, ka deklaruar Bahtiri.
Ndërtimi i murit në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, kishte ndodhur në muajin dhjetor, nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut dhe është pasuar me kundërshtime të ashpra nga autoritetet e Kosovës. Për rrënimin e këtij muri, edhe Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, në bazë të së cilës muri duhet të shembet gjatë këtij muaji.
Në anën tjetër, ministria për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar për rrënimin e këtij muri.
Ajo ka thënë se tashmë është bërë e ditur se rrënimi i murit është kompetencë e instancave më të larta shtetërore të Kosovës, të cilat po punojnë intensivisht në këtë drejtim, në mënyrë që të sigurohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe të zbatohet marrëveshja e Brukselit për rivitalizimin e urës dhe rrugës kryesore të Mitrovicës veriore.






































