Balili, një hap para shtetit. Baroni i drogës i shpëtoi të gjitha aksioneve

19.12.2017 20:58:10

Kur policia greke më 11 maj të vitit 2016 përmendi emrin e Klement Balilit si kreu i një rrjeti të trafikut të drogës, i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” lëvizte i lirë në Sarandë, ku ishte emëruar drejtor i transporteve.

Me lidhje të forta politike, por për shtetin grek, Klement Balili ishte thjeshte një trafikant.

“44-vjeçari kishte rolin e sponsorit, me kamion e në det kalonte drogën”, thoshte në atë kohë Christos Papazafiris, drejtor i Policisë së Athinës.

Më 12 maj, policia shqiptare tregonte se po bënte hetim për supertrafikantin dhe se kishte qenë pjesë e aksionit të policisë greke.

“Një nga operacionet e përbashkëta më të suksesshme, sidomos me DEA-n amerikane”, thoshte në 12 maj 2016 Haki Cako.

E megjithatë, “Eskobari” i shpëtoi mbikëqyrjes policore, e cila u tha se bëhej në mungesë të një urdhër arresti për Klement Balilin.

“U kërkua me shumë urgjencë dhe për rreth 45 minuta e përfunduam, e dhamë dorazi me qëllim që të ndihmohet procesi hetimor”, tha Manjani, ish-ministër i drejtësisë.

Por Top Channel mësoi se autoritetet greke e kishin nxjerrë një urdhër shoqërimi për Klement Balilin që më 9 maj të atij viti. Zyrtarisht ai ishte ende në Shqipëri sepse në sistemin TIMS nuk kishte asnjë të dhënë, por në fshatin e tij, në Stjar të Delvinës, të gjithë si pjesë e një kodi thonë se nuk e dinë se ku ndodhet Balili.

“Këtë komunitet këtu i kanë ushqyer të gjithë me bukë dhe punë”.

8 ditë pas daljes së urdhër arrestit në Greqi, dokumenti u dha së mbërriti edhe në Shqipëri, por vetëm kaq, sepse Balilin po nuk e gjente askush megjithë zërave se ishte prapë në Sarandë, Ksamil apo pranë pronave të tij. Policia shkoi disa herë në shtëpinë e Balilajve, deri më 5 dhjetor të 2016 kur lajmërohet mbërritja e dosjes me 10 mijë faqe më 12 nëntor në ambasadën shqiptare në Athinë.

Më 8 dhjetor, një vit më parë, lajmi se 200 policë do niseshin të kapnin Balilin, doli pak para nisjes dhe në fund ata nuk gjetën gjë, ndërsa i vëllai i tij thoshte se Klementi ndodhet në Tiranë. Ndërsa në Tiranë u fol se aksioni ishte dekonspiruar.

“Këtu ka qenë çdo ditë, nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë urdhër arresti, nuk është ankuar ndonjë njeri”, thoshte më 10 dhjetor 2016 i vëllai, Hektori.

“Balili përfaqëson një dështim të madh të policisëdhe të sistemit të drejtësisë”, thoshte ambasadori Lu.

Qëndrimi amerikan ngacmoi qeverinë aq sa Tahiri bëri një premtim që nuk u mbajt.

“Balili e balilërat mund t’i kenë ende ditën e numëruara, por shumë shpejt do të jenë para drejtësisë”, tha Tahiri në kohën kur ishte ministër i Brendshëm.

Policia i shkoi në shtëpi Klement Balilit, por nuk e gjeti, dhe mori vetëm nipin e tij të cili e liroi disa orë më pas. Donald Lu ju rikthye sërish disa muaj më vonë historisë së mosarrestimit të Klement Balilit.

“Magjistati klement balili, ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj, falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”, tha Ambasadori Lu më 2 shtatorin e vitit të kaluar.

Pas deklaratës së parë të ambasadorit Donald Lu, Klement Balili jo vetëm nuk u arrestuar, por vetëm 2 javë më vonë 28 dhjetor 2016, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i dha kompanisë “Balili KO” 7 mijë dollarë shtesë mbi një kontratë 30 mijë dollarëshe për ruajtjen e godinës së tatimeve në Sarandë.

Kulmi i ironisë është shërbimi i ruajtjes me polici private që Bashkim Balili i ka ofruar Prokurorive të jugut, Sarandës, Gjirokastrës dhe Përmetit, pikërisht kur i vëllai i tij, Klement Balili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

Të dhënat zyrtare nga thesari i shtetit tregojnë se gjatë 3 viteve të fundit “Balili KO”, kompania kryesore e vëllezërve Balili ka përfituar mbi 850 mijë dollarë tendera publikë në shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë fizike.

Vetëm pas denoncimit të plotë në Top Channel të shtunën e 16 dhjetor të tenderave të fituara nga kjo kompani, Drejtori i Policisë Haki Cako, pikërisht ai që u kishte dhënë licencat ua revokoi me argumetin se kishin humbur besimin. Por nuk janë vetëm paratë publike të tenderave, pasi janë edhe tokat bujqësore të marra në shfrytëzim. Në korrik të 2016, Ministria e Bujqësisë i dha 90 hektarë tokë për 90 vjet, Albin Balilit, nipit të Klement Balilit.

Kontrata u denoncua nga këshilltarët bashkiakë të Përmetit që i kërkonin Kryeministrit Rama anulimin e saj. Ndërsa në Delvinë, Balilët përfituan një tokë prej 21 ha që iu dha për 90 vjet me një qira vjetore prej 280 mijë lekësh, për të cilën politikanët akuzuan njëri-tjetrin në Parlament.

Por siç tregoi edhe në një tjetër rast Top Channel, toka nën administrim të Ministrisë së Arsimit i kishte kaluar Ministrisë së Bujqësisë me VKM dhe më pas kishte dalë në ankand.

Qershia mbi tortë është kompleksi “Santa Quaranta” i sekuestruar vetëm një vit e gjysmë pasi Balili u shpall në kërkim, ku edhe për historikun e zotërimit të kësaj prone Top Channel bëri një raportim të plotë.

Historia vijon, ndërsa Klement Balili, njeriu që akuzohet si i lidhur me të gjithë krahët politikë, arriti të shpëtojë veten dhe paratë nga ligji.

Në fakt, Balili ka qenë gjithmonë një hap para shtetit, i cili ose nuk ka reaguar fare ose ka reaguar vetëm pasi çështjen janë bërë publike nga ambasadori amerikan ose nga mediat.