Basha anashkalon debatin për “hetimet ndaj UÇK-së dhe kasetën”, i përgjigjet Ramës me ekonominë

17.11.2020 12:27:23

Lulzim Basha ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama i kërkoi publikisht të sqarojë qëndrimin e tij në lidhje me akuzën e ngritur nga Milaim Bllaca, që filmoi 22 vite më parë masakrën e serbëve mbi civilët në Krushë të Madhe, se kasetën, që sipas tij rezulton e zhdukur, ia kishte dorëzuar kryedemokratit.

Basha ka anashkaluar sërish këtë temë, duke u fokusuar tek ekonomia. Kryedemokrati thotë se një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se Shqipëria është ekonomia më pak e kredituar në Ballkan.

“Ndërsa Rama merret vetëm me trillime dhe gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë është në kolaps. Studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se Shqipëria është ekonomia më pak e kredituar në Ballkan.

Për 7 vite me radhë Rama e shkatërroi ekonominë. Kjo është arsyeja pse Rama nuk jep ndihmë financiare për familjet që vuajnë nga kriza. Shqipëria është vendi që u jep më pak ndihmë ekonomike qytetarëve të saj!

Ne do ta ndryshojmë këtë. Ne do ndihmojmë të gjithë qytetarët, biznesin, të vetëpunësuarit, dhe do të sigurojmë ndihmë financiare për çdo familje. Bashkë do sjellim shpresë të re për Shqipërinë!”, shkruan kryedemokrati.