Basha kundër Xhafajt: Emërimi si ministër, akt lufte

17.03.2017 21:10:25

Edhe në daljen e dytë para protestuesve pasditen e sotme, kreu i opozitës Lulzim Basha ashpërsoi gjuhën kundër emërimit të Fatmir Xhafajt si Ministër i Brendshëm në vend të Saimir Tahirit.

Sipas tij, ky është një akt lufte, jo për opozitën, por për Shqipërinë.

“Emërimi i Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm është akt lufte, jo vetëm për opozitën, por për të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

“Pakica në pushtet i ka ditët e numëruara”, paralajmëroi kreu i PD-së. Ai tha se kauza e opozitës është një kauzë amerikane.

Basha u bëri thirrje edhe disa zyrtareve të lartë të BE-së që të hapin sytë dhe të mos dezinfirmohen nga gojët e liga që paguhen me paratë e narkotrafikut.

Kryedemokrati përmendi edhe një herë tjetër raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për prodhimin dhe trafikun e marijuanës.

“Raporti e thotë qartë se korrupsioni në Shqipëri është galopant. Por, segmentet qeveritare kanë zbuluar grup armiqësor edhe në Senatin amerikan. Dizinformuesit janë të paguar të drogës dhe të narkomafies shqiptare”, u shpreh ai.