Basha pa ide të reja, ripërsërit premtimet e vitit 2017

03.02.2019 23:14:02

Kryetari i PD Lulzim Basha po behet gati për protestën e 16 shkurtit, por duket se idetë e tij janë shteruar, pasi po bën të njëjtat premtime të zgjedhjeve të qershorit 2017.

Gjatë takimit të sotëm në Fier, Basha premtoi se ai do të ngrejë një qeveri, e cila planifikon rritjen e pagave dhe kushte dinjitoze të punës.

“Një qeveri që ka një plan ekonomik për të hapur vende pune, vende pune me paga dinjitoze, me kushte dinjitoze. Ky është prioriteti i PD, ky është prioriteti i grupit tonë parlamentar, ky është prioriteti ynë. Kjo është plotësisht mundur. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen dhe i fryn burive të dëshpërimit për hesap të Edi Ramës”, -u shpreh ai.

Ky premtim për vendet e punës, ishte edhe në zgjedhjet e kaluara. Ajo që mungon është mënyra sesi do të binden shqiptarët për të votuar Partinë Demokratike, një alternativë që pretendon se është ndryshe por pa ide të qarta.

Ai shtoi se Rama nuk ka asnjë shans t’ju djegë vitin  akademik studentëve dhe kërkoi zgjim kombëtar për të larguar atë nga pushteti.

“Asnjë shans nuk ka Edi Rama t’ju djegë vitin akademik studentëve, ai do njihet i plotë bashkë me mirënjohjen e thellë të qytetarëve shqiptarë për rolin e tyre në këtë zgjim të madh kombëtar që ka dhe do të ketë vetëm një përfundim, çlirimin e Shqipërisë nga oligarkia, çlirimin e Shqipërisë nga krimi”, – deklaroi kreu i PD-së.