Basha: Rama kërcënon Europën për integrimin, të japë dorëheqjen

11.03.2017 13:27:50

Në javën e 3 të protestës përballë kryeministrisë,kreu i opozitës Lulzim Basha ka thënë se nuk ka më kthim pas deri sa të plotësohen kushtet për krijimin e një qeverie teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai e quan kërcënim deklaratën e kreut të qeverisë për të integruar Shqipërinë “sa nuk është vonë”.

“Dje në një tur që na e shet si vizitë shtetërore, Ed mashtruesi na paska thënë integrim para se të jetë vonë. Mos ju duket gjë si kërcënim? Kë kërcënon ky, Gjermaninë, Europën? Më integroni para se të jetë vonë? A i ke bërë detyrat e shtëpisë o Ed Mashtruesi? A e ke luftuar krimin? Jo. E ke marrë dhe e ke ulur në Parlament. Nëse të bëhet vonë për shqipërinë, dhe integrimin jep dorëheqjen para se të jetë vonë. Largohu dhe hapi rrugë qeverisë teknike si garancia e vetme që kjo lëvizje popullore do të pranojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka thënë z. Basha.

Sipas Bashës, ka ardhur koha që qeveria të ketë frikë nga qytetari dhe jo ky i fundit nga pushtetarët.

“Shqipëria pas 18 shkurtit, është më ndryshe se ajo para 18 shkurtit. Sot qeveritarët janë strukur në birucat e tyre, sepse e dinë që humbja po vjen. Frika sundonte në Shqipëri, por sot, 3 javë pas 18 shkurtit, shqiptarët e kanë vrarë frikën, kurajo qytetare është ngritur kudo. Sot më shumë se të gjithë, ka frikë qeveria me Ramën dhe janë fshehur si lepuj, sepse e gjithë Shqipëria është ngritur bashkë, – deklaroi Basha. – Ndryshimi tashmë ka mbërritur, 18 shkurti është dita që vendi ka nisur ndryshimin pa kthim dhe ne do jemi këtu deri në arritjen e objektivave të shpallura të kësaj lëvizjeje popullore, që kërkon zgjedhje të lira e të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike”.

Kryedemokrati i kërkoi kryeministrit Rama të japë dorëheqjen para se të jetë vonë për të krijuar republikën e re.

“Kjo luftë, kjo betejë, bëhet që Shqipëria të arrijë këtë standard një herë e mirë, jo qytetari të ketë frikë qeverinë, por qeveria të ketë frikë popullin. Kjo është qeveria e re që ne po luftojmë të sjellim. Ndaj duam ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore. Pas fitores së kësaj lëvizjeje, nuk do të jetë asgjë më si më parë. Rama, jep dorëheqjen para se të jetë vonë. Largohu dhe hapi rrugë qeverisë teknike për zgjedhje të lira. Ti kërkon integrimin e vendit, por nuk i ke bërë detyrat e shtëpisë. S’i ke bërë detyrat që kërkon Europa, kështu që je mbetës”, – tha ai mes të tjerash.