Njihuni me ekspertin e mafies italiane, që qëndron pas zbulimit të skandalit të 1300 kontenierëve

11.03.2017 13:20:19

Më 28 Shkurt të këtij viti, një media “modeste” italiane, “Pianetaitalianeës.it” plasi një investigim bombë, i cili pas ripublikimit nga SYRI.net, tronditi opinionin publik dhe shoqërinë civile në Shqipëri.

Tashmë të gjithë e dinë, se për çfarë bëhet fjalë; Rreth 1300 kontenierë nga 22 tonë secili të mbushur me mbetje të rrezikshme (ndoshta edhe radioaktive) gjatë rrugës për në Maqedoni, janë zhdukur në vendin tonë.

Por jo vetëm kaq. Edhe zyra e kryeministrit Rama, që në dukje e injoroi, madje nëpërmjet mediave të veta e përqeshi këtë lajm u trazua dhe brenda 48 orësh, tentoi pa sukses të shantazhonte dhe kërcënonte median, që e zbuloi skandalin, tashmë nën hetim nga të dy anët e detit Adriatik.

Ambasadorja jonë në Itali Anila Bitri, vetëm 2 ditë pas publikimit të artikullit dhe jehonës që pati në vendin tonë, i dërgon një letër portalit në fjalë dhe me tone kërcënuese kërkon ndalimin e publikimeve të mëtejshme, si dhe përgënjeshtrimin e lajmit.

Por drejtuesit e medias italiane, me qetësinë e profesionistëve që e dinë se çfarë bëjnë dhe çfarë dokumentesh disponojnë, jo vetëm që “nuk e hëngrën” shantazhin e urdhëruar nga Rama, por përkundrazi në përgjigjen e tyre, shprehën “habi” që në vend që qeveria shqiptare ti falenderonte, u kërkon të mbyllin historinë. Pas kësaj, investigimit ju bashkëngjitën edhe media prestigjioze, si gazeta “Roma” apo CNN në gjuhën greke.

Aktualisht është e sigurt, që për këtë skandal i cili nëse del i vërtetë do të përbënte aktin më antishqiptar të këtyre 105 vite shtet që ka vendi ynë, po investigon edhe Atimafia Italiane, edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Në këtë situatë, ajo që i ka ngelur urdhëruesve dhe të interesuarve në këtë biznes vrastar për mjedisin dhe jetët e shqiptarëve është fshehja sa të mundin e gjurmëve. Paniku duket qartë, sepse ashtu siç njoftonte gazeta më e vjetër në Itali, “Roma”, dokumente skandaloze priten të publikohen së shpejti për këtë çështje.

Paralelisht me këtë, në Tiranë nisi dhe vazhdon një fushatë nëpërmjet mediave të vetë deklaruara pranë kryeministrit Rama, për të sfumuar dhe denigruar seriozitetin e burimit të lajmit, që është “pianetaitalianws.it”.

Media e shqiptaro-italianit Karlo Bolino fillimisht dhe më pas e amplifikuar nga të tjerat e oborrit, akuzuan pronarin e portalit italian, Sergio De Gregorio, se ka qenë një senator i akuzuar për korrupsion dhe sipas kësaj logjike, ato që boton ai nuk duhen besuar.

Faktikisht për De Gregorio është shkruar ndonjë shkrim denoncues dhe ka pasur edhe akuza ndaj tij gjatë kërleshjeve, si një politikan ekspresiv. Gjithsesi realiteti është, se ai nuk ka asnjë dënim për ato që pretendon Bolino. Përkundrazi rezulton si një individ politik dhe veçanërisht në fushën e medias, me shumë reputacion në Itali.

Por edhe nëse do të ishte ashtu si thonë oborrtarët mediatik të Ramës, çfarë ndryshimi bën në thelbin e skandalit të zhdukjes së 1300 kontenierëve me mbetje të rrezikshme në vendin tonë? Nëse pronari dhe drejtuesi i kësaj media italiane që e zbuloi, do të ishte “me njollë në biografi”, shantazhi (apo blerja) e Ramës do të kishte funksionuar dhe nuk do të kishte marrë atë përgjigje-shuplakë publikisht.

Gjithsesi meqenëse mediat e kryeministrit kanë gërmuar për cene në biografinë e Segio De Gregorio, për interes të publikut SYRI.net po ju tregon, se kush është ai në fakt sipas burimeve zyrtare, veçanërisht në gazetarinë hulumtuese ndaj mafies (edhe kësaj të mbetjeve) italiane.

Përveç lexuesve tanë, ja rekomandojmë edhe ‘gazetarit të madh’ Karlo Bolino, për të kuptuar se sa liliput është në gazetarinë investigative përpara pronarit të një portali “inekzistent”…

Sergio De Gregorio më shumë se politikan dhe senator njihet në fushën e medias. Ai e filloi karrierën e tij në gazetari, në moshën 17 vjeçare në vitin 1977, duke punuar deri në vitin 1980 edhe si drejtues redaktor i kronikave të famshme, që merreshin krimet e mafies në Napoli në edicionet; “Paese Sera”.

Në vitin 1980, ai braktisi “Paese Sera” dhe krijoi agjencinë e tij fotomediatike, “Shërbimi Alfa Press”. Më pas ai fillon bashkëpunimeve me L’Espresso (ndërprerë në vitin 1983), me investigime të shumta që kishin të bënin kryesisht me krimin dhe me rubrikën e njohur për atë kohë” TG2 Dosje” (deri në 1985). De Gregori ka qenë edhe një bashkëpunëtor i rregullt i mediave më të mëdha italiane deri në vitin 1998, nëpërmjet korrespondencave në vende me kriza të rrezikshme lufte, si Ruanda, Iraku, Nikaragua, në ish-Jugosllavi, Liban etj. Do të mbahet mend për organizimin e raportimeve dhe intervistave, me mafiozin e penduar Tommaso Buscetta dhe me familjen e tij.

Gjatë viteve tetëdhjetë, gjithashtu ai vazhdoi bashkëpunimin me RAI si një autor, prezantues dhe korrespondent në disa programeve investigative pikante, si ato që trajtonin trafikun e drogës (Raitre) në bashkëpunim me gazetarë të famshëm italianë. Me Enzo Tortora, Dario Argento dhe Alba Parietti (Rai 2), Domenica In (Raiuno si një konsulent për pjesën gazetaresk) apo me lidhje të drejtpërdrejta me Enzo Biagin (Rai Uno). Ai gjithashtu ka bashkëpunuar me grupin mediatik të Berluskoit, veçanërisht me kanalin “Italia 1”.

Karriera e tij gazetareske kulmoi në vitet nëntëdhjetë, si drejtues i revistave dhe gazetave të ndryshme investigative që merreshin kryesisht me zbulimin e rolit të mafies në punët publike dhe atë të trafikut të mbetjeve të rrezikshme në Campania. Nga dhjetori i vitit 1996, ai u bë redaktor i parë i L’Avanti! Valter Lavitola (nuk duhet të ngatërrohet me gazetën historike Socialiste Avanti!).

Në fund të viteve 90-të, u inkuadrua në politikë, fillimisht me partinë e Berluskonit Forca Italia. Përveç aktivizimit intesiv brenda vendit, De Gregorio ka qenë asistent parlamentarë në Parlamentin Evropian, deri në vitin 2004. Në vitin 2005, pas prishjes së marrëveshjes me Forza Italia ai kandidoi për zgjedhjet rajonale në Campania, në listën e Gianfranco Rotondi të Partisë Kristian Demokrate. Në vitin 2006, De Gregorio braktis drejtimin e “L’Avanti!” për të marrë përsipër drejtimin editorial të “Italia e Vlerave”, organi zyrtar i partisë së Antonio Di Pietro-së. Në prill të vitit 2006, ai u zgjodh në Senat nga rajoni i Campanias.

Përpara se të largohej nga politika, Sergio De Gregorio ka qenë edhe kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Senatin italian dhe kryetar i delegacionit parlamentar italian në NATO. Pra një person që ka pasur akses në informacion të klasifikuar dhe kompetent për ato që di.

Kjo “biografi” e shkurtër e drejtuesit të medias, që i plasi bombën “kimike” Edi Ramës tregon qartë, edhe përse ai nuk ka frikë nga shantazhet e kryeministrit “kimik”; si dhe nga e siguron informacionin dhe përse është i bindur ( së bashku me bashkëshorten, drejtore e portalit, gazetare e vjetër) që ky megaskandal ka ndodhur.