Ndërroi jetë veterani i arsimit, Hazir A. Morina, nga Drenoci që për gjysëmshekulli realizoi misionin e arsimimit të brezave

 

Veterani i Arsimit, z. Hazir A. Morina punoi me përkushtim për avancimin e shkollës shqipe dhe sitemit të pavarur arsimor, në fillimin e periudhës se kontributit madhor të mësimdhënësve për mbijetesën e shkollës shqipe, vitet pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, respektivisht pas Referendumit gjithëpopullor të vitit 1991.

Jusuf Bytyçi, Malishevë, 29 mars

Të martën vonë pas dite, iku në amshim edhe një nga pak veteranët e parë të arsimit shqip në komunën e Malishevës. Në Drenoc të Malishevës, ndërroi jetë në moshën 84 vjeçare, mësuesi, veterani i pensinuar i arsimit, Hazir Amrush Morina. I lindur më 1933 në Drenoc, fshatin më të madh të komunës së Malishevës, ai që rrjedhë nga një familje me dëshirë për arsimim, ka bërë hapat e parë të dijes në Shkollën e Carrallukës, ku ka kryer shkollën fillore. Për ta dëshmuar orientimin e qartë të tij, Hazir A. Morina, ka vazhduar shkollimin e mëtejmë në Rahovec, ku e ka kryer progjimnazin në vitin 1950. Pasi e mbaroi kursin Pedagogjik në Pejë, në vitin shkollor 1951/52, ende pa i mbushur të njëzëtat, ishte caktuar në punën e mësuesit në fshatin Zoçishtë të Rahovecit. E, në ndërkohë, krahas punës në misionin e shenjtë të mësuesit, Hazir Morina në vitin 1965, kryen me sukses Shkollën Normale në Gjakovë. Duke lënë kudo përshtypje dhe sjellje të larta, mësuesi Hazir, që dëshmoi edhe virtyte të larta të një edukatori shembullor, si dhe afërsi me nxënës e prindër të kohës, më pas punoi dhe kontribuoi në edukimin e gjeneratave-brezave të shumtë të nxëënsve në fshtra tjera të komunës së Rahovecit, si në Hoçë të Vogël, në Llapushnik të Drenasit, në Sferkë të Klinës, e më pas në Lumnishtë, Carrallukë e Drenoc të Malishevës. Ishin atëherë rregullat e qeverisjes, që mësuesit, caktoheshin në detyra më parë në lokalitetet tjera, e më pas, me dekrete janë kthyer në vendlindje. Prandaj, edhe mësuesi Hazir, gjatë viteve shkollore 1973/74-i rikthehet vendlindjes në Drenoc, ku emërohet drejtor i Shkollës tetëvjeçare “Bajram Curri”. Këtë detyrë, mësuesi Hazir, e kreu deri në vitin shkollor 1976/77. Dhe sërish, ai nuk i është ndarë ditarit dhe nxënësve, mision të cilin e kreu me sukses deri në vitin 1993, periudhë kur u pensionua. Punoi me përkushtim për avancimin e shkollës shqipe dhe sitemit të pavarur arsimor, në fillimin e periudhës se kontributit madhor të mësimdhënësve për mbijetesën e shkollës shqipe, vitet pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, respektivisht pas Referendumit gjithëpopullor të vitit 1991. Ai u dëshmua me dijen dhe sjelljet shembullore kudo gjatë punës së tij edukative-arsimore. Mësuesi Hazir Morina, u dëshmua edhe si prind dhe kryefamiljar shembullor. E dashurinë ndaj shkollës, ndaj dijes, ndaj edukimit, mësuesi Hazir e dëshmoi me shkollimin-arsimimin e të gjithë fëmijëve të tij, djem e vajza, edhe të nipërve, mbesave. Në kohën që ai ishte ende mirë me shëndet, në familje pa më të dashurit e tij, kuadro të larta, profilesh të ndryshme. Kjo e gëzonte pamasë mësuesin-veteranin Hazir Morina, edhe pse që nga viti i kaluar, ai kishte telashe goxha të rënda me shëndetin. por u dëshmua me dijen dhe sjelljet shembullore kudo gjatë punës së tij edukative-arsimore. Për këtë, dëshmi ka mirënjohet e shumta. U dëshmua me urtësinë dhe virtyet e një njeriu shumë dashamirës e miqësor me bashkëvendës, bashkëfshatarë dhe qytetarë të moshave e zanateve të ndryshme. Jetoi në fshatin e lindjes, i vlerësuar e i respektuar nga të gjithë, nga ish-nxënësit dhe bashkëfshatarët. Varrimi i të ndjerit Morina, do të bëhet sot, e mërkurë, pas dite në varrezat e fshatit Drenoc të Malishevës.