Shuhet Princi Filip, Duka i Edinburgut, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeta II

09.04.2021 14:28:43
Nga Muhamet Hamiti, ish  Ambasador i Kosovës në Mbreterinë e Bashkuar
Paska ndërruar jetë sot Princi Filip, Duka i Edinburgut, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeta II. Ka qenë bashkëshorti më jetëgjatë i një monarku britanik.
Filipi ka lindur në ishullin e Korfuzit më 10 qershor 1921, i biri i Princit Endru të Greqisë dhe Princeshës Alisë të Batenbergut.
Princi Filip dhe Mbretëresha Elizabeta kanë pasur për stër-stër-gjyshër Mbretëreshën Viktoria dhe Princin Albert. (Mbretëresha Viktoria ka qenë në fron nga viti 1837 deri në vitin 1901. Princi Albert ndërroi jetë më 1861.)
Mua dhe Vjosës, bashkëshortes time, na bjen shpesh në mendje pyetja që ma kishte bërë disa herë në pritje protokolare, ai në shoqërim të Mbretëreshës Elizabetë – kur shërbeja Ambasador i Kosovës në Londër në vitet 2008-2012 – ‘What did you do before becoming an Ambassador?” (“Çka ke punuar më parë, para se të bëheshe Ambasador?”). Përgjigjja ime ka qenë standarde, e shkurtër, natyrisht, sepse në ato raste muhabeti i gjatë s’ka qenë i mundur: “Kam qenë profesor i letërsisë angleze”. Dhe reagimi i mirësjellshëm e me humor i Princit Filip: “Të gjithë paskeni qenë profesorë të anglishtes!”.
Pushofsh në paqe, Princ Filip!
(Bashkëngjitur dy foto: njëra e Mbertëreshës dhe e Princit Filip, dhuratë e të dyve për mua në fund të mandatit tim si Ambasador në Londër, që emisari diplomatik i Mbretëreshës ma ka sjellë në Ambasadën e Kosovës; tjetra, pamje nga dita kur i kam dorëzuar letrat kredenciale te Mbretëresha Elizabeta në vitin 2009).