Basha: Rama zhyti shqiptarët në varfëri me politikat e tij

31.10.2017 19:03:13

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar Edi Ramën si përgjegjësin kryesor të 30 mijë bizneseve që janë drejt falimentimit për shkak të politikës së tij. Ndërkohë, Basha tha se beteja e opozitës për për dekriminalizimin e shtetit, për vënien para drejtësisë të Saimir Tahirit si mbështetësi dhe përfituesi i trafikut të drogës është sot beteja më jetike për shqiptarët.

“Politika e Edi Ramës është krimi dhe droga. Është politika e tij që ka çuar 30 mijeë biznese drejt falimentimit, mbylljes së mijëra vendeve të punës, rritjen e çmimeve dhe zhytjen e shqiptareve në varfëri. Politika e Ramës bëri që 30% e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot bukën e fëmijëve, 39% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit, 43% e familjeve nuk sigurojnë dot ngrohjen për fëmijët.

Beteja jonë për dekriminalizimin e shtetit, për vënien para drejtësisë të Sajmir Tahirit si mbështetësi dhe përfituesi i trafikut të drogës është sot beteja më jetike për shqiptarët. Sepse krimi ka kapur shtetin, varfëria dhe mjerimi ka pushtuar anembanë vendin, papunësia dhe pamundësia po shtyn drejt emigrimit mijëra të rinj e intelektuale.  Opozita është në krahun e njerëzve. Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi; janë problemi dhe jo zgjidhja”, shkruan Basha në Facebook.