Bashkia jep pyjet e Petrelës me qira, të përdoren për agroturizëm

20.02.2017 21:41:46

Bashkia e Tiranës planifikon që të japë për përdorim me qira një sipërfaqe pyjore në zonën e Petrelës për agroturizëm, sipas një projektvendimi për “Shprehjen e pëlqimit në parim për dhënien me qira të pasurisë me nr. 745 dhe 744/2 të llojit “Pyll” ndodhur në Njësinë Administrative, Petrelë”.

Sipas relacionit, me ndryshimet e fundit ligjore, Bashkisë së Tiranës i është kaluar funksioni për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e fondit pyjor dhe kullosor brenda kufijve administrativo-territorial. Pyjet dhe kullotat publike janë transferuar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Një udhëzim i Ministrisë së Mjedisit parashikon se sipërfaqet mund të jepen në përdorim vetëm për ushtrimin e veprimtarive të parashikuara në legjislacionin në fuqi për pyjet dhe kullotat të tilla si punë kërkimore studimore, mbarështim të florës dhe faunës, qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, veprimtari turistike, rehabilitim dhe pyllëzim etj. Veprimtaritë që do të ushtrohen të jenë në përputhje me planet e tyre të mbarështimit si dhe duhet të sjellin përmirësime të dukshme, të realizojnë investime, të mos cenojnë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike.

Bashkia pranon se pranë saj janë depozituar kërkesa që shprehin interes të vazhdueshëm lidhur me përdorimin e pasurive të llojit pyll të ndodhur në Njësinë Administrative, Petrelë, për pasurinë si më poshtë, sipas funksionit dhe destinacionit që kanë:

-Pasuria nr. 745, volum 3, faqe 85, Z.K. 3091, me lloj pasurie “Pyll”, në pronësi të shtetit.

-Pasuria nr. 744/2 në volum 4, faqe 149, Z.K. 3091, pasuri e llojit “Pyll”, në pronësi të shtetit.

Bashkia ka marrë një propozim të pakërkuar, që e ka vlerësuar pozitivisht, pasi sipas relacionit do të sjellë ndikim pozitiv social-ekonomik. “Dhënia në përdorim me kundërshpërblim e këtyre pasurive sjell një impakt pozitiv social­ ekonomik, pasi rehabilitimi i sipërfaqeve pyjore, mirëmbajtja e tyre si dhe implementimi i planit të biznesit nga subjekti, i cili do të lidhë kontratën me Bashkinë e Tiranës, do të sjellë rritjen e nivelit të punësimit të banorëve në zonën përkatëse”, thuhet në relacion.

Në relacion nuk jepen të dhëna se cili është subjekti që ka bërë propozimin e pakërkuar për të marrë në përdorim zonën pyjore të Petrelës.