BE kundër protestës së PD: Debati politik të zhvillohet në parlament

20.02.2017 21:38:41

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Komisionit Europian, ka folur për protestën, e cila ka hyrë tashmë në ditën e tretë përpara Kryeministrisë dhe vendimin e PD për të lënë Kuvendin, deri në plotësimin e kërkesës për qeveri teknike.

Sipas saj, Parlamenti duhet të jetë funksional edhe për ecurinë e mëtejshme të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Koçijançiç thotë se debati politik zhvillohet në parlament.

“Për ne, debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij.

Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar Unionit Europian, madje edhe për avancimin në rrugën e saj europiane.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të tregohet vazhdimësia e parlamentit në një moment kyç, kur diskutohen e miratohen ndryshimet, në veçanti ato që lidhen me reformën e  drejtësisë”, ka thënë Koçijançiç për RTSH.

Zëdhënësja e BE flet edhe për bordin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) i cili ka shkaktuar jo pak debate edhe brenda mazhorancës. Koçijançiç thekson se bordi i ONM do monitorojë procesin e Vettingut dhe roli tij është sipas ligjit dhe Kushtetutës së vendit.

Cili është qëndrimi i Komisionit Europian lidhur me kërkesat e opozitës? Siç e dini ka një grevë, u organizua një protestë kombëtare dhe kryetari i PD-së, Basha, thotë se gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve në kërkesat  për largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike deri në zgjedhje, përfshirë dhe çështjen e votës elektronike, në të kundërt deputetët e pakicës bojkotojnë Kuvendin, për pjesën e mbetur të punimeve.
Për ne, debati politik duhet të zhvillohet brenda parlamentit dhe jo jashtë tij.

Polarizimi i mëtejshëm i arenës politike do të ishte vetëm kundër-produktive për ambicjen e Shqipërisë për t’iu bashkuar Unionit Europian, madje edhe për avancimin në rrugën e saj europiane.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të tregohet vazhdimësia e parlamentit në një moment kyç, kur diskutohen e miratohen ndryshimet, në veçanti ato që lidhen me reformën e drejtësisë.

Këto ndryshime kanë rëndësi thelbësore për të siguruar progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe siç e mbani mend, Komisioni rekomandoi në nëntor nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, subjekt i zbatimit të prekshëm e të besueshëm në reforma specifike dhe pikërisht reforma e drejtësisë është ajo që kam në ndërmend.

Nisur nga përgjigja teknike e menjëhershme e kabinetit të Komisionerit Hahn ndaj letrave të dy ministrave të LSIsë mbi Bordin e Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, siç është publikur në Tiranë, si ndikojnë këto qëndrime në mardhëniet me vendin? A parashikohet vizitë në Tiranë? Kur do mbahet tryeza e radhës e dialogut të nivelit të lartë?
Komisioneri Hahn ka marrë disa letra në të vërtetë dhe u është përgjigjur atyre.

Siç e dini ngritja e bordit për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit është diçka e diskutuar thellësisht në detaje me qeverinë shqiptare.

Është dhënë shumë informacion mbi këtë dhe është ngritur në përputhje me legjislacionin përkatës dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe detyra e bordit është për të monitoruar procesin.

Pra, është tejet e qartë dhe transparente.

Reforma në vetvete është sfiduese dhe për këtë arsye, Bashkimi Europian vazhdon mbështetjen e tij për punën sa i takon reformës në drejtësi.

Për momentin, mund të them se me Tiranën vazhdojnë kontaktet e rregullta me shumë intensitet.