Bashkimi me Luginën – ngjallje e idesë së Thaçit për korrigjim kufijsh?

03.07.2019 20:33:12

Të hënën, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ia dërgoi Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim një draft-rezolutë për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kjo draft-rezolutë, sipas Thaçit mbështet kërkesa e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën. Presidenti iu bëri thirrje deputetëve të Kuvendit ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Presheve, Medvegjë dhe Bujanoc.

Draft-rezoluta e Thaçit, për bashkim po shihet si një rikthemë i idesë së korrigjimit të kufijve. Të paktën kështu thonë analistët.

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se kjo është vetëm një lojë e presidentit dhe se nuk do gjej mbështetje në Kuvend.

“Mas dështimit të Thaçit personalisht që me çua përpara këtë ide, ai do ta rikthej përmes Kuvendit të Kosovës. Por kjo është vetëm një lojë e tij, dhe nuk besoj se do të gjej mbështetje në Kuvend për shkak se tashmë edhe deputetët e dinë se bëhet fjalë vetëm për një aventurë të tij. Më pas ai dëshiron ta ‘shes’ këtë si një akt patriotik dhe t’i akuzojë të tjerët se si është e mundur se nuk po e mbështesin bashkimin e Luginës më Kosovën, megjithatë nuk do të gjejë mbështetje në Kuvend”, ka deklaruar Mushkolaj.

Sipas tij, një përpjeke e tillë është cenim i kushtetutës, pasi Kosova tanimë i ka kufijtë e saj.

“Një përpjekje e tillë është edhe cenim i kushtetutës pasi siç e dimë Kosova i ka kufijtë  e vet, dhe çdo tentim për ta bashku me pjesë të shtetit tjetër mund të konsiderohet se është shkelje e kushtetutës, pra nuk besoj se Kuvendi do ta pranojë dhe të hyjë në lojën e Thaçit. Me këtë veprim po përpiqet që ta ndaj përgjegjësinë e një ideje të tij e cila në këndvështrimin tim është e rrezikshme. Thaçi e dinë se nuk ekziston kjo mundësi, por po merr hap me çua përpara një ide të tillë kur ende s’janë caktuar kufijtë me Serbinë”, ka përfunduar Mushkolaj.

Analisti, Blerim Burjani mendon se presidenti i vendit po vazhdon të jetë joracional dhe i arsyeshëm.

“Nuk mund të shprehesh dëshirën se çka ti donë, por çka mund të konkretizohet si kërkesë në dialog. Dialogu ka marrë teposhtzën dhe më nuk do të mund të sjellë ndonjë rezultat të dobishëm për palët, janë humbur shumë raste. Shkëmbimi territorial nuk do të ndodhë asnjëherë, ka shumë rryma politike vendore dhe ndërkombëtare që e kundërshtojnë, Thaçi pa arsye insiston në lojën politike, ai duhet të dorëzojë kompetencat e marra në mënyrë të paligjshme të kryeministrit”, ka thënë Burjani.

Ai ka shtuar se rezoluta për Luginën do të ketë fatin e dhjetëra rezolutave të dështuara.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dy ditë më parë, mbajtën një seancë të jashtëzakonshme, ku u diskutua gjendja e shqiptarëve në Luginë, si dhe kërkesat e tyre në drejtim të institucioneve të vendit.