Bayern Munich-Arsenal, supersfida që përsëritet

15.02.2017 13:37:10

Që të fitonte Ligën e Kampionëve në vitin 2013, Bayern Munich kishte arritur tri gjysmëfinale rresht. Me tre herë fituesit e këtij kompeticioni, Carlo Ancelotti është “rekrutuar” nga klubi bavarez për të fituar edhe “yllin e katërt” në Champions. Por, që të ecet në këtë drejtim, duhet të kapërcehet Arsenali, më parë. Duke u takuar me Bayern Munich në 1/16, dy herë në pesë sezonet e fundit, Arsenali është ende i pamposhtur në Mynih, kur bëhet fjalë për fazën eliminuese të Championsit, duke fituar 2-0 në sezonin 2012-2013 dhe barazuar 1-1 një vit më vonë. Skuadra gjermane do të jetë këtë herë e etur për ta ndryshuar këtë “trend” dhe për të marrë një fillim inkurajues për sfidën e kthimit në Londër.

Megjithatë, dy skuadrat në fjalë janë ballafaquar me njëra-tjetrën edhe sezonin e kaluar, në fazën e grupeve, ku Bayern Munich i shkaktoi një humbje të rëndë, 5-1, Arsenalit në Bavari. Realiteti ka treguar se kampionët e shumëfishtë gjermanë, për sezonin e katërt radhazi, nuk janë kundërshtari ideal për “Topçinjtë” e Arsene Wenger. Me Premier League, ku ka kohë pa pasur sukses, një fitore kundër bavarezëve, të mërkurën në mbrëmje, mund të shpëtojë sezonin dhe punën e trajnerit jetëgjatë në “Emirates”. Kjo është një lojë e madhe për Alexis Sanchez. 28-vjeçari është paraqitur 22 herë këtë sezon për Arsenalin, duke shënuar 16 gola dhe dhënë 9 asiste.

Ai ka qenë lideri i Arsenalit këtë sezon dhe nuk ka dyshim se sytë e londinezëve janë nga ai të mërkurën në mbrëmje. Në krahun tjetër, sulmuesi polak, Robert Lewandowski, ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm te Bayern Munich, me 21 gola në 30 ndeshje. Pesë nga këto 21 gola kanë ardhur në Ligën e Kampionëve, këtë sezon. 28-vjeçari do të jetë në kërkim të shtimit të këtyre golave të mërkurën mbrëma. Mbrojtja e Arsenalit do të duhet të jetë në më të mirën e saj, në qoftë se do ta mbajë Lewandowskin larg rrjetës së portës së saj.

E kaluara mes këtyre dy skuadrave ka tri ndeshje… Bayern Munich-Arsenal 5-1, Champions League, nëntor 2015 Arsenal-Bayern Munich 2-0, Champions League, tetor 2015 Bayern Munich-Arsenal 1-1, Champions League, mars 2014

Formacionet e mundshme Bayern Munich: Neuer, Lahm, Martinez, Hummels, Alaba, Kimmich, Vidal, Robben, Muller, Thiago, Lewandowski. Trajner: Carlo Ancelotti Arsenal: Ospina, Bellerin, Mustafi, Koscielny, Monreal, Oxlade-Chamberlain, Coqeulin, Walcott, Ozil, Iwobi, Sanchez. Trajner: Arsene Wenger. /telesport.al/