BE e shqetësuar, Koçijançiç – opozitës: Djegia e mandateve kundër integrimit

18.02.2019 23:22:03

Vizita urgjente e ambasadorit të BE, Luigi Soreca dhe zv/ambasadores së SHBA Leyla Moses-Onesnë zyrën e kryeministrit Edi Rama, menjëherë pasi lulzim Basha dhe aletatët njoftuan se do djegin mandatet, nuk ishte një veprim që tregon qetësi.

Në fakt klima politike në Shqipëri është tensionuar tej mase pas vendimit të forcave opozitare, pavarësisht se Edi Rama po e trajton me një qetësi olimpike dhe pastime ironike situatën.

Veçanërisht BE duket tej mase e shqetësuar për ekstremizmin e luftës politike, me një akt të paprecedentë të opozitës. Shqetësimin për gjendjen aktuale në Shqipëri e ka shprehur hapur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic në një prononcim për ATSH-në.

Sipas Kocijancic, në Bashkimin Evropian presin që qeveria dhe opozita shqiptare të angazhohen për të tejkaluar situatën aktuale politike.

“E drejta e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore është një element thelbësor dhe një vlerë thelbësore e çdo demokracie të pjekur dhe duhet të garantohet. Sidoqoftë, përdorimi i veprimeve të dhunshme dhe dëmtimi i pronës publike siç u pa të shtunën e kaluar në qendër të Tiranës, nuk janë të pranueshme”, ka thënë ajo.

Sipas zëdhënëses së KE, “parlamenti është baza e çdo demokracie evropiane – është një vend ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara, e jo të bojkotohen”.

Kocijancic gjithashtu thekson se vendi i opozitës është në Parlament, ndaj vendimi për djegie mandatesh shkon kundër perspektivës evropiane të vendit.

“Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe për deputetët që të heqin dorë nga mandati i tyre aktual janë kundërproduktive dhe shkojnë kundër përpjekjeve të vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE. Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, thekson Kocijancic.