Berisha: Në kohën kur ish-drejtuesit e Kosovës me hekura në duar u ulën në sallën e gjyqit, Rama firmosi marrëveshje me Vuçiqin

11.11.2020 22:36:45

Berisha thotë se Lulzim Basha është shqiptari i vetëm që mori pjesë në hartimin e dosjes kundër Sllobodan Millosheviqit.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha thotë se paraqitja në sallë e ish-drejtuesve të UÇK-së ishte dinjitoze.

“Ata refuzuan aktakuzat dhe dëshmuan se kanë qenë luftëtarë të lirisë, luftëtarë të UÇK-së që kanë çliruar Kosovën bashkë me NATO-n”, deklaroi Berisha në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Berisha thotë se sulmet ndaj Bashës që e lidhin me Shtëpinë e Verdhë,  janë primitive dhe të pamoralshme.

“Në kohën kur ish-presidenti i Kosovës dhe ish-zyrtarët tjerë u ulën me hekura në sallën e gjyqit, Rama firmosi marrëveshje me gebelsin e Millosheviqit, Vuçiqin, i cili në mënyrë absolute qëndron me qenien e tij prapa Raportit të Dick Martit”, tha ish-kryeministri shqiptar

“Së dyti shqiptarët duhet ta dinë se njeriu që i vendosi në qafë çelësin e Tiranës Goran Bregoviqit, lëshoi akuzë monstruoze ndaj Bashës. Atë akuzë ai e lëshoi ndaj Bashës për t’iu thënë shqiptarëve se nuk është Vuçiqi ai që ka hartuar dosjen por është Lulzim Basha, shqiptari i vetëm që me dijeninë time ka marrë pjesë në hartimin e dosjes së Sllobodan Millosheviqit”.

Berisha thotë se Rama bërë këto deklarata për të mbuluar “thikën” që i futi Kosovës ditën kur ish drejtuesit e shtetit po përballeshin me Hagën.