Berisha: Thaçi e Mustafa po e përdorin Demarkacionin për agjendat personale

22.02.2017 18:43:10

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, u shpreh se çështja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, është çëshjte që u takon të gjithëve.

“Ne nuk jemi ekspertë të matjes së kufirit, mirëpo kjo nuk është çështje e një mandati të Isa Mustafës, i cili për interesa të veta luan me këto tema. Nuk është në mandatin e një koalicioni që temat që u takojnë brezave të tërë, t’i përvetësojnë”, tha Berisha në Info Magazine.

Ai ka thënë se Presidenti, Hashim Thaçi dhe kreu i qeverisë, Isa Mustafa, po e shfrytëzojnë çështjen e demarkacionit.

“Nëse qeveria ka kërkuar nga BE-ja të qitet ky kusht, kjo është një tjetër çështje. Mustafa dhe Thaçi kanë gjetur rrugën më të shkurtër për t’i përmbushur agjendat personale”, tha ai.

Berisha i cilëson gjetjet e Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, si jo valide.

“Matja e territorit nga ky komision është një absurditet i vërtetë. Në qoftë se komisioni është në rregull, ky komision do ishte dashur të ishte permanent me vite derisa të përfundonte procesi i demaskimit e jo të matej tash”.

“Kjo është një çështje me rëndësi kombëtare dhe ne kemi kërkuar një konsensus rreth saj. Kufiri nuk është vetëm çështje teknike, por edhe politike, historike dhe kombëtare”.

Ai ka thënë se kushti për liberalizim të vizave iu është bërë vetëm Kosovës dhe asnjë vendi tjetër.

“Nuk ka asnjë shtet në rajon që ka qenë i kushtëzuar sikurse Kosova për liberalizimin e vizave. Kroacia nuk e ka të zgjidhur me asnjë shtet çështjen e demaskimit”, tha Berisha.