Besnik Mustafaj: Sfida e PD-së të kthejë pakënaqësitë në votë për opozitën

12.12.2016 11:16:18

Ish-Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, vlerëson ecurinë e Partisë Demokratike në 26 vitet e saj, por kërkon mobilizim në këto muaj të mbetura deri në zgjedhje për tu rikthyer në pushet. Mustafaj thotë se nuk duhet të priret vetëm nga konsumi i qeverisë.

“Problemi është që sfidat e reja që ka Shqipëria duhet të përballohen përsëri nga Partia Demokratike dhe nga e djathta në përgjithësi, sepse menaxhimet e majta kanë treguar në të gjitha vendet e tjera europiane se e kanë thelluar krizën”, shprehet Mustafaj.

Partia Demokratike festoi 26-vjetorin e themelimit dhe kontributit të saj në shoqërinë post-komuniste shqiptare. Më shumë se sa gjysmën e viteve të saj e kaloi në pushtet, por si shihet sot kjo forcë politike nga personalitetet të cilët kontribuan dhe investuan në jetën e saj?

“Tranzicioni në lidershipin e PD-së ka qenë i ndërlikuar, i vështirë, sepse pas Berishës dhe pas asaj humbje lidershipi i ri kishte sfida shumë të mëdha në kushtet e mungesës së përvojës, në kushtet e një rinovimi të përgjithshëm të PD. Unë besoj se ka ende muaj intensive pune për PD që ajo të bëhet vërtet zëri i pakënaqësisë dhe alternativë për zgjidhjen e problemeve. Sepse pakënaqësia në vetëvete thjesht si pakënaqësi nuk përkthehet në votë për opozitën nëqoftëse opozita me programin e saj politik, me figurat që i ofron shoqërisë shqiptare nuk i përgjigjet si duhet”, tha Mustafaj