Cili shqiptar duhej votuar në Maqedoni?

12.12.2016 11:11:04

Kur populli voton politikanë maqedonas, nuk e bën pse është tradhtar, por sepse elita politike ka tradhtuar interesat e popullit dhe i është bashkëngjitur mafisë politike maqedonase. Me atë elitë në qeveri dhe opozitë, u bombarduan shqiptarët në Kumanovë. Asnjëri nuk dha dorëheqje në shenjë mospajtimi.

Vota nuk është vetëm mundësi e shprehjes fisnore, por edhe dënim që i bëhet atij, që duhej të punonte për interesat tua, por nuk e ka bërë dhe të ka shpërfillur kafshërisht.

Ata që kanë votuar politikanin maqedonas, janë të bindur se mund të ndihmohen nga ai më shumë, se sa nga politikani shqiptar. Ata janë qytetarë europianë. Edhe në Gjermani votohen turq apo kurd nga gjermanë dhe askush nuk pezmatohet. Askush nuk i qorton.

Në shoqëri fisnore alarmohen, tërbohen, çarten pse shqiptarët nuk votuan Ali Ahmeti, i cili ishte pjesë e Qeverisë, kur u vranë shqiptarët dhe iu bombarduan shtëpitë. A të votonin Menduh Thaçin, që është karikatura më vulgare, më e ligë e mundshme e një politikani zvarranik, që pos nënshtrimit dhe interesit vetjak, nuk njeh gjë tjetër?!

Cili politikan shqiptarë është dëshmuar si konsekuent, me dinjitet, i cili përfaqësuaka interesat e popullit? Asnjë! Thjeshtë asnjë! Votuesi shqiptar në Maqedoni nuk ka idenë më kë të votojë. Fundi i fundit, si edhe ai në Kosovë.

Të menduari si tufë, zhgënjen në shoqëri tribale, e cila konsideron patriotizëm mosshkëputje nga tërësia, qoftë edhe kur dëmton vetveten. Të mos shtiremi si marsianë dhe kuptojmë gjendjen e popullit dhe të mos ketë askush iluzione se kjo nuk do të ndodhte edhe në Kosovë, madje edhe me numër më të madh!

Nuk duhet të na brengos vota e lirë e qytetarit, por maskarallëku që ka prodhuar primitivizmi dhe makiavelizmi i elitës politike shqiptare. Neve duhet të na brengos fragmentarizmi i shoqërisë shqiptare. Duhet të na brengos mungesa e liderëve politik, jo vota e popullit.

Në vend se të qortohet gomari, akuzohet samari. Shikoni çfarë pasuesi la pas vete Arbër Xhaferi i madh! Një tartuf, që i gëzohet humbjes së BDI-së, por nuk percepton humbjen e vet katastrofale. Faje nuk ka ai. Fajet janë të Arbër Xhaferit! Pasuesi i zgjedhur i tij, shembi partinë e tij!

Nëse vazhdon kështu, në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët nuk do të votojnë asnjë politikanë shqiptarë. Nëse një maqedonas merret seriozisht me problemet e tyre, atëherë partitë shqiptare, mund të shpërbëhen! Nuk i duhen askujt! Ashtu ashtu ishin në shërbim të vetvetes, rrjedhimisht, të politikës antishqiptare në Maqedoni!