Biden: Trupat do të qëndrojnë në Afganistan për të evakuuar amerikanët

19.08.2021 09:18:03

Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se ai është i përkushtuar për të mbajtur trupat amerikane në Afganistan derisa të evakuohet çdo amerikan, edhe nëse kjo do të kërkonte të mbahej një prani ushtarake atje përtej afatit të 31 gushtit.

Presidenti gjithashtu hodhi poshtë kritikat se Shtetet e Bashkuara duhet të kishte bërë më shumë për të planifikuar evakuimin dhe tërheqjen, që është shoqëruar me skena dhune dhe kaosi, ndërsa mijëra vetë u përpoqën të largohen ndërsa talebanët morën pushtetin. Në një intervistë me George Stephanopoulos të kanalin ABC News, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë “gjithçka në fuqinë e tyre” për të evakuuar amerikanët dhe aleatët amerikanë nga Afganistani para afatit.

pyetur në mënyrë të përsëritur se si administrata do të ndihmonte amerikanët që do të mbeten në vend pas 31 gushtit, Presidenti Biden tha, “Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë derisa t’i nxjerrim të gjithë”. Deri në 15,000 amerikanë janë në Afganistan pasi talebanët morën kontrollin e plotë të vendit fundjavën e kaluar.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha më herët të mërkurën se ushtria amerikane nuk ka forca dhe fuqi luftarake ajrore në Afganistan për të zgjeruar misionin e saj aktual përtej sigurimit të aeroportit të Kabulit për të grumbulluar amerikanët dhe afganët në rrezik diku tjetër në kryeqytet dhe për t’i shoqëruar ata për t’u evakuuar.

Pyetja nëse ata që kërkojnë të largohen nga vendi para afatit të Presidentit Bidenit duhet të shpëtohen dhe të sillen në aeroport, është ngritur mes njoftimeve se pikat e kontrollit të talebanëve kanë ndaluar disa qytetarë të caktuar. “Unë nuk kam aftësinë për të dalë më tej dhe për të shtrirë operacionet aktuale jashtë Kabulit,” tha sekretari Austin.

Austin, një gjeneral në pension i ushtrisë me katër yje i cili komandoi forcat në Afganistan, foli në konferencën e tij të parë për shtyp në Pentagon që kur talibanët erdhën në pushtet në Kabul të dielën. Ai tha se Departamenti i Shtetit po dërgonte më shumë oficerë të çështjeve konsullore për të përshpejtuar përpunimin e dokumentave të të evakuuarve.