Birësimi dhe martesat mes të njëjtit seks/ Juristët pro LGBT, sociologia Binjaku: Shoqëria s’është gati

27.10.2020 17:50:24

Ekspertët juridikë mbështesin kërkesën e komunitetit LGBTI për ndryshime ligjore në Kodin e Familjes. E pyetur nga Gazeta “Shqip”, juristja Elona Doda thotë se  problematika kryesore e Kodit të Familjes është që nuk e përqas apo parashikon bashkëjetesën faktike të çifteve LGBTQ, element ky që bie në kundërshtim me nenin 3 të Kushtetutës.

“Ky fakt evidentohet po të marrim në analizë këto dispozita: 1. Martesa e lidhur nga bashkëshortët pa pasur qëllim për jetë të përbashkët si burrë e grua është e pavlefshme. Neni 36;  2. Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.

Këto dispozita janë të vetmet të parashikuara në Kodin e Familjes të cilat referojnë termat burrë dhe grua.  Përdorimi i këtyre termave definon konceptet ligjore të martesës dhe bashkëjetesës si të bazuara në orientimin seksual  ndaj seksi të kundërt, duke përjashtuar apo diskriminuar komunitetet në mënyre të padrejtë dhe të panevojshme LGBTQ”, shprehet juristja Elona Doda.

Juristja Doda tha se ndryshimet ligjore mund të bëhen përmes nismave parlamentare.

“Në kushtet që jemi është plotësisht e mundshme që të gjendet një ekuilibër i drejtë ndërmjet vlerave tradicionale të familjes dhe martesës të cilat aktualisht Kodi i Familjes i ofron mbrojtje të posaçme  dhe të drejtave të komunitetit LGBTQ, për të jetuar  me dinjitetin që Kushtetuta ua njeh çdo shtetasi shqiptar jetën e tij”, thotë juristja Elona Doda.

Më tej ajo thotë se në një nga mënyrat e parashikuara në nenin 134  të Kushtetutës, grupet advokuese të të drejtave LGBTQ mund ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e dispozitave konkrete të Kodit të Familjes me karakter diskriminues.

Por a reflekton  shoqëria jonë nevojën për këto ndryshime ligjore?

Gazeta “Shqip” pyeti sociologen Entela Binjaku e cila në opinionin e saj thotë se nuk dihet në është ligji ekzistues ai që bëhet pengesë apo është pakica seksuale e cila përmes ndryshimeve ligjore kërkon t’i imponohet shoqërisë.

“Mendoj që shoqëria jonë e varfër, në një shkallë të madhe e palexuar, me investime minimale për ngritjen kulturore të vetvetes, ku botëkuptimi më së shumti ndikohet nga të tjerët, sesa ka një qëndrim të vetin të krijuar dhe konsoliduar në kohë, ku tradita e familjes njeh lidhjen e njohur dhe miratuar ligjërisht dhe moralisht nga shoqëria mes dy personave me gjini të ndryshme, nuk është gati për ta kuptuar këtë nevojë dhe nuk e percepton fare si nevojë të shumicës, një pretendim të pakicës”, shprehet ajo.

Sociologia Binjaku thotë se vetëm nëse mund ta vërë veten në vendin e personave LGBTI  dhe të jetë mendje hapur, shoqëria shqiptare do ta kuptonte nevojën e kësaj pakice, por kjo sipas saj është e pamundur pasi shoqëria shqiptare nuk e ka këtë aftësi apo dëshirë.

Birësimi dhe martesat mes të njëjtit seks/ Juristët pro

Kërkesa e ambasadës Pink

Ambasada PINK në Shqipëri, kërkoi zyrtarisht që personat LGBTI të gëzojnë të drejtën e birësimit të fëmijëve dhe barazisë në martesë.

Nisur nga propozimet që Ministria e Drejtësisë ka paraqitur për konsultim së fundi për disa ndryshime dhe përmirësime në ligjin për birësimet dhe në Kodin e Familjes, Ambasada PINK kërkoi që ndryshimet e propozuara të eliminojnë diskriminimin e hapur që iu bëhet personave LGBTI, si në Ligjin e Birësimeve ashtu edhe në Kodin e Familjes.

Pavarësisht kërkesave të brendshme dhe presionit ndërkombëtar që Shqipëria të garantojë barazinë në martesë dhe përgjegjësitë që vijnë me të, vendi ynë vijon të diskriminojë haptazi personat LGBTI nga e drejta për të njohur ligjërisht marrëdhëniet apo familjet e tyre, për t’u kujdesur për fëmijët e tyre apo për të birësuar.

Sot në Europë 26 Shtete njohin barazinë në martesë dhe bashkëjetesë: 14 shtete zyrtarisht njohin barazinë në martesën civile në seks të njëjtë dhe 12 të tjera njohin bashkëjetesën civile. Paragjykimet shoqërore për martesën në Shqipëri janë të ngulitura thellë edhe në ato pak ligje që kanë mbetur e që janë haptazi diskriminuese ndaj personave LGBTI.