Biznesi Kuvendit: Mos miratoni ligjin për Dhomat e Tregtisë!

22.11.2016 10:35:50

–   Me përjashtim të Dhomës së Tregtisë Tiranë, të gjitha grupimet e tjerë shprehen kundër anëtarësimit me detyrim në organizata që duhet të jenë të lira

Ervin Kaduku

Të gjithë grupimet e biznesit shqiptar dhe të huaj që operon në territorin e Republikës së Shqipërisë janë shprehur fuqimisht kundër miratimit të ligjit që detyron subjektet të anëtarësohen në një organizëm të caktuar tregtar. Sipas tyre, cenohet Kushtetuta dhe liria e sipërmarrjes. Ligji është kthyer për rishqyrtin në Parlament nga presidenti Bujar Nishani.

Sa më poshtë vijon letra e hapur dërguar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Ilir Meta, si dhe kryetarëve të grupeve parlamentare:

Tiranë, 17 Nëntor 2016

LETËR E HAPUR

DREJTUAR: Z. Ilir META, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

  1. Gramoz RUÇI, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
  2. Edi PALOKA, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
  3. Petrit VASILI, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim
  4. Shpëtim IDRIZI, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet
  5. Fatmir MEHDIU, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane

 

Lënda: Kërkesë për mos-miratimin nga Kuvendi të ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, të ndryshuar” të kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës me Dekretin me nr. 9769, datë 18.10.2016.

I nderuar Z. Kryetar,

Të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare,

Ne, Përfaqësuesit e 19 organizatave më të mëdha të biznesit vendas dhe të huaj në Shqipëri, ju drejtohemi me kërkesën për mos-miratimin nga Kuvendi të ligjit nr. 93/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për dhomat e tregtisë dhe industrisë”, të ndryshuar” të kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga Presidenti i Republikës me Dekretin me nr. 9769 datë 18.10.2016, duke u bazuar në sa më poshtë:

Problematikat e ligjit 93/2016 miratuar në Kuvend me datë 29.09.2016:

Rregullimi ligjor në lidhje me detyrueshmërinë e anëtarësimit në Dhomat e Tregtisë dhe Dhomat e Bashkuara të Tregtisë Përbën Një Shkelje Kushtetuese referuar nenit 46 të Kushtetutës”, pika 1 e cila e përcakton pjesëmarrjen në organizime shoqatash dhe organizatash si të drejtë të qytetarëve dhe jo si detyrim.

Anëtarësimi absolut i detyrueshëm me anë të pagesës së kuotës së anëtarësisë në dhomat e tregtisë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë Krijon Një Taksë Të Fshehtë Për Biznesin në kushtet që subjektet tregtare kanë vështirësi në realizimin e fitimeve.

Ligji Nuk Ofron Asnjë Qartësi në lidhje me llojin dhe cilësinë e shërbimit të Dhomës së Tregtisë apo të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë për anëtarët që do të anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme dhe do të paguajnë kuotën e detyrueshme, apo rregullat dhe parimet mbi bazën e të cilave do të promovohen, lobohen dhe mbrohen interesat e anëtarëve të dhomave. Gjithashtu, ky ligj nuk përcakton se çfarë pasojash ka për subjektet që nuk anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme.

Referuar prognozës së bërë në mbledhjen e të ardhurave në mënyrë të detyrueshme nga të gjitha subjektet, misioni dhe përcaktimet ligjore në lidhje me aktivitetin e dhomave të përcaktuara në këtë ligj nuk e justifikojnë përfitimin e të ardhurave në atë nivel, i cili mund të ishte lehtësisht i krahasueshëm me buxhetin e një ministrie apo institucioni tjetër të rëndësishëm.

Çdo favorizim i dhomave të tregtisë përbën një diskriminim të shoqatave të tjera të biznesit në cënim të nenit 18 të Kushtetutës.

Pa dashur të përsëritim të gjithë argumentet e diskutuara në muajt paraardhës, as edhe argumentet që përmban Dekreti 9769, datë 18 tetor 2016, organizatat shprehin edhe një herë kundërshtimin kryesor lidhur me detyrimin për t’u anëtarësuar në Dhomat publike të Tregtisë dhe Industrisë. Qëndrimi ynë i përbashkët është që çdo individ i përfshirë në biznes, dhe çdo kompani e regjistruar për aktivitet prodhues e tregtar në Republikën e Shqipërisë, duhet të gëzojë të drejtën të bëhet pjesë e çdo organizate nga e cila ai individ apo biznes dëshiron të përfaqësohet, duke përfshirë këtu edhe të drejtën që të mos bëhet pjesë e asnjërës prej tyre.

Për më tepër, një operator ekonomik i cili nuk përfaqësohet si duhet nga një shoqatë biznesi apo organizatë tjetër bashkimi vullnetar, dhe të cilit nuk i ofrohen shërbimet e premtuara, ka gjithmonë mundësinë të ndërpresë anëtarësimin. Anëtarësimi i detyrueshëm eliminon këtë mundësi dhe rrezikon që një operator ekonomik të gjendet në pozitën e vështirë ku financon, me anë të pagesës së kuotës së anëtarësisë, aktivitete që mund të bien ndesh me misionin bazë të atij operatori.

Ne, duke marrë në konsideratë vullnetin e biznesit, taksapaguesve dhe kontribuesve në vend ju bëjmë thirrje Ju të nderuar Zotërinj dhe Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë se:

nuk duhet të miratoni një ligj që shumica e individëve dhe bizneseve e kundërshtojnë;

nuk duhet të miratoni një ligj, që ngarkon biznesin me nje “taksë” vjetore;

nuk duhet të miratoni një ligj që ka qënë për 14 vjet i pasuksesshëm dhe nuk i ka sjellë dobi bizneseve në vend;

nuk duhet të miratoni një ligj që ngre një institucion real në buxhet (buxheti i dhomave të tregtisë do të bëhet i barabartë me një ministri) dhe jo real e të prekshëm në mungesë të shërbimeve direkte për biznesin (dhomave të tregtisë nuk u janë deleguar punë publike, si në modelin kontinental të anëtarësimit të detyrueshëm. Sot këto shërbime kryhen nga Institucionet shtetërore si QKB, etj); nuk duhet të miratoni një ligj që nuk sjell asnjë të ardhur në buxhetin e shtetit dhe asnjë të mirë publike;

Ligji nuk ka përafruar asnjë akt të acquis communautaire;

dhe në fund nuk duhet të miratoni një ligj antikushtetues.

Me besimin se parashtrimet e mësipërme dhe zëri i bizneseve do të merret në konsideratë!

Me respekt dhe sinqerisht,

Organizatat e Bizneseve në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri

Dhoma Britanike e Tregtisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri -Turqi (ATTSO)

Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve

Dhoma Shqiptare Bullgare në Shqipëri

KONFINDUSTRIA

Konfindustria Shqiptare

Sindikata e të Vetëpunësuarve

Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” (BTSH)

Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA)

Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA)

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë

Shoqata Shqiptare e Bankave

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA)

Shoqata Shqiptare e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (AITA)

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA)

Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjensive Turistike (ATOA)