Blushi: Rama hyri i sponsorizuar në fushatën e zgjedhjeve në SHBA, si një trompist i marrë me qira

11.11.2016 11:24:21

Deputeti Ben Blushi, me një gjuhë të ashpër ka sulmuar sot nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, kryeministrin Edi Rama në lidhje me deklaratat e këtij të fundit anti-Trump.

“Nuk do ishte e udhës të merresha me çdo paudhësi të Kryeministrit nëse kjo e fundit, që lidhet me zgjedhjet në Amerikë do të ishte vetëm një akt mendjelehtësie prej një njeriu të cilin prej vitesh e njoh mirë si një amator profesionist. Amatorit, pra do t’ia kisha falur faktin që u rreshtua personalisht gabim dhe pa asnjë arsye në një garë demokratike zgjedhjesh të brendshme, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund të fundit, amatorët këtë detyrë kanë: të bëjnë gabime të cilat mund të tolerohen pasi nuk shkaktojnë dëm. Që Edi Rama është një amator, për këtë nuk kam më asnjë dyshim dhe shpresoj se nuk jam i vetmi. Qeverisja e tij tre vjeçare është një provë e përditshme se ai nuk ka asnjë koncept për ekonominë, asnjë ide për modernizimin e vendit dhe, sigurisht asnjë doktrinë të besueshme sa i takon politikës së jashtme. Gjatë zgjedhjeve në SHBA, Edi Rama nuk u rreshtua vetë.

AI shkoi me larg: rreshtoi Shqipërinë në garë dhe kjo është çështja. Pyetja eshte: ç’pati ky njeri dhe pse është kaq mendjelehtë? Unë jam i bindur se Edi Ramen në këtë fushatë nuk e çoi as mendjelehtësia, as arsyeja, as simpatia për njerin nga kandidatët, çka do të ishte e arsyeshme dhe e kuptueshme, por e çoi interesi banal dhe meskin.

Interesi i vogel për të hapur një dere, apo një deriçkë, për të bërë një selfie, apo për të kapur një buzëqeshje e detyroi ta rreshtonte Shqipërinë në një palë zgjedhje, në të cilat ajo nuk kishte asnjë pune. Edi Rama, si piktor i pavarur, mund të zgjidhte kë të donte nga dy kandidatet, por si Kryeminister i Shqipërisë ai nuk kishte të drejtë të zgjidhte asnjërin.”, tha Blushi.