Bushati: Greqia ka në fuqi një ligj lufte me Shqipërinë

14.10.2016 11:10:00

Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati konfirmon se formalisht në Greqi është në fuqi një ligj lufte, që edhe vetë Athina e ka njohur përmes një letre dërguar Tiranës vite më parë.

“Ligji i luftës nuk është një çështje e ezauruar as me traktatin e miqësisë në vitin 1995 dhe as me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por nuk është e vërtetë. Pala shqiptare i ka kërkuar qeverisë greke që të shprehet për këtë çështje dhe ka marrë një letër që konfirmon se dy vendet janë formalisht në luftë”, ka thënë Bushati.

Ai sqaroi se ky ligj ka efekte të drejtpërdrejta mbi çështjet pronësore dhe një sërë efektesh të tjera zinxhir që lidhen me të.

Më tej, ministri Bushati ka mohuar se qeveria e sotshme për shkak të koalicioni me PDIU ka një marrëdhënie të ngrira me Greqinë.

Sipas tij, mazhoranca e sotme ka marrëdhënie intensive në të gjitha nivelet, ndryshe nga qeveria e shkuar e cila sipas ministrit, në dy vitet e fundit të mandatit nuk pati asnjë komunikim me qeverinë greke.

Duke iu referuar vizitës së kreut të kuvendit, Ilir Meta në Greqi dhe reagimet e deputetëve të PDIU pas kësaj vizite, Bushati u shpreh se secili nga të dy politikanët ka mbajtur pozicionin e vet sa i përket çështjes çame; Shpëtim Idrizi si kryetar i një partie që këtë çështje e ka të qenësishme, ndërsa Meta shkoi në Greqi si kryetar i Kuvendit dhe mbajti qëndrim nga kjo pozitë.