Çekia, mbështetje për procesin e integrimit të Shqipërisë

04.11.2016 12:44:51

Ministrja e Integrimit Europian në qeverinë Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha priti sot në një takim delegacionin nga Parlamenti çek, i kryesuar nga Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, Karel Schwarzenberg.

Ministrja Gjosha, shprehu falënderimet në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen që Çekia i ka dhënë Shqipërisë me procesin e integrimit.

Ministrja Gjosha, vlerësoi vizitën e delegacionit çek në këtë moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, vetëm pak ditë përpara publikimit të raportit nga Komisioni Europian.

“Ne shpresojmë në një raport pozitiv dhe vlerësojmë ndihmën e vendeve anëtare për çdo hap që hedhim me procesin e integrimit. Me miratimin konsensual të reformës në drejtësi, jemi të bindur se marrja e një rekomandimi pozitiv do të ishte për ne një shtysë e madhe për të zbatuar jo vetëm reformën në drejtësi por të gjitha reformat shtetndërtuese”, tha Ministrja Gjosha.

Z. Karel Schwarzenberg, u shpreh se Çekia do të mbështesë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai nënvizoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e Europës, jo vetëm se kjo u shërben këtyre vendeve, por edhe sepse integrimi i tyre i shërben vetë Europës.