Cilat janë mënyrat për ndryshim kufijsh?

07.05.2020 12:23:18

Nga Rexhep Kastrati

Kur unë kam denoncuar ndarjen etnike të Kosovës, para më shumë se 20 vitesh e në vazhdim, si dhe çdo ide dhe projekt që ka derivuar nga qëllimi për ndryshim kufijsh, një pjesë e argatëve të spiunëve të Serbisë më sulmonin në mënyrë primitive se më merrnin se jam nga ata që e rruajnë trapin për luftë speciale! Një pjesë tjetër që dikur punonin me mua dhe që nuk më shqiteshin veç për t’i parë dikush me mua, ka kohë që janë bërë argatë të spiunëve të Serbisë dhe vrasësish njerëzsish të ndryshëm, madje edhe shokësh! Sigurisht unë kam mbajtur dhe mbaj shënim për ta, dhe për përfshirjen e tyre në projekte të dëmshme për vendin!

Pra, çështja e ndryshimit të kufijve e kam denoncuar me kohë dhe në fillimet, kam qenë i vetmi që kam bërë këtë, por kam thënë se pavarësisht të gjithave, ndryshim paqësor të kufijve nuk mund të ketë, jo se nuk do Hashimi, apo Albini, pasi të dy janë në krye të këtyre angazhimeve, por ngaqë askush nuk guxon të nënshkruajë një dokument që do të hapte rrugën për të ndryshuar hartën e Ballkanit, sepse askush nuk guxon të marrë përsipër barrën e tradhtisë në mënyrë kaq të hapur, madje as Hashimi! Prandaj, është krijuar profili i Albinit, i cili atë që nuk mund ta bëjë Thaçi në mënyrë paqësore, ta mundësojë ai me destabilitet, konflikt e gjakderdhje! Pra, bëhet fjalë për skenarë ukrainas që jam duke i denoncuar që nga viti 2015!

As në arenën ndërkombëtare nuk ka konsensus për ndryshim kufijsh, sepse cenohen rregullat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë që do të rikthente kontekstin luftënxitës dhe gjakderdhjet e viteve ’90 të shekullit të kaluar! Është e qartë se Ballkani në shumë aspekte ka rikthyer kontekste gjeopolitike të shekujve të kaluar, por tashmë ka disa elemente të rëndësishme që duhet të dimë t’i përdorim: SHBA-të vazhdojnë të jenë në gjeopilitikën evropiane, për dallim nga shekulli XIX dhe fillimshekulli XX, kohë kur u copëtuan tokat shqiptare, Gjermania nuk e ka ngarkesën e nxitëses së luftave botërore, dhe është anëtare fuqiplotë e NATO-s dhe përcaktuese e gjeopolitikave evropiane!

Prandaj, qarqet serbo-ruse dhe të aleatëve të tyre në Evropë kanë punuar shumë në afirmimin e profilit të Albinit dhe të VV-së si lëvizje anarkiste dhe me kontigjente militantësh të gatshëm për t’ia vënë zjarrin Kosovës! Dhe drejtimi tjetër, ka qenë edhe goditja e LDK-së, e cila edhe për të gjallë të presidentit Rugova ka qenë dhe është cak i agjenturave me qëllim shkatërrimin e bazës së organizimit pilitiko-institucional të Kosovës dhe bartëse e procesit për liri, pavarësi e demokraci! Janë vrarë shumë personalitete, të tjerë janë margjinalizuar, dhe në vend të tyre janë katapultuar rekrutë agjenturash dhe shoqërish sekrete, të tjerë janë shitur nga brenda! Kulmi ishte më 2006 kur u ça LDK dhe vitin e kaluae me projektin Vjosa që kishte për qëllim të njëjtësonte LDK-në me VV-në dhe të vinte në krye një kastë spiunësh dhe kriminelësh! Një projekt tjetër që po zhvullohet në heshtje është projekti rezervë që do të realizohet mbi bazën e pazareve, por edhe luftës brenda klaneve në LDK! Kështu do të eliminohej pengesa kryesore për skenarë destabilizues dhe luftënxitës që do të hapte siparin e ndryshimit të kufijve në rajon!