Çitaku: Daçiq mund të burgoset për shkrimin që bëri mbi 100 dollarët amerikanë “Kosova është Serbi”

05.06.2019 23:54:41

Së fundmi në rrjetet sociale në Serbi, siç raportojnë mediat serbe, ka filluar një aksion për “kthimin e Kosovës në Serbi, nëpërmjet rrugës paqësore”, e që po zbatohet duke shkruar në kartëmonedhat e valutave të huaja, euro dhe dollarë, mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Lidhur me këtë ka pasur reagime të ashpra në Kosovë dhe jashtë saj.

Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me aksionin që është ndërmarrë në Serbi ku në kartëmonedha të shumta po shkruhet “Kosova është Serbi”.

Përmes një shkrimi në Faceook, Çitaku ka thënë se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, do të mund të dënohet nga SHBA-ja për veprimin e tij.

“Do ta lë këtë këtu: Kushdo që i dëmton, i shpon,  bashkon ose i ndanë, ose bën diçka tjetër në kartëmonedha, drafte, shkresa ose mjete të tjera bankare, të ndonjë shoqërie nacionale bankare, Bankës Federale të Rezervave ose Sistemit Federal të Rezervave, me qëllim që ato t’i bëjë të papërdorshme, duhet të dënohet nën këtë ligj ose mund të burgoset për jo më shumë gjashtë muaj, ose mund të marrë të dyja ndëshkimet”, ka shkruar ambasadorja Çitaku.

Fushata e Serbisë kundër Kosovës, është shpërndarë në rrjetet sociale.

Në Instagram është hapur edhe një profil i veçantë për të publikuar fotografi dhe video duke shfaqur veprimin e njëjtë.