Çka po paralajmëron Daut Haradinaj?

02.08.2016 22:35:01

Nga Rexhep Kastrati

uneVëllai i Ramush Haradinajt, Dauti është i pari kuvendar dhe pjesëtar i opozitës që shpreh mundësinë e dështimit të debatit për demarkacionin. Ai këtë e ka bërë në një postim të tij në facebook, duke u ndërlidhur me tërheqjen e Baton Haxhiut nga moderimi i këtij debati. Në fakt shqetësimi i Dautit për tërheqjen e Baton Haxhiut, dhe aq më keq kur shkon deri aty sa të devalvojë rolin e ambasadorit amerikan,Greg Delawie në nivel të moderatorit të një debati, shpreh një shpërfytyrim të plotë të tij. Zhgënjimi që shpreh për tërheqjen e Baton Haxhiut nga moderimi i debatit, në fakt, tregon se sa shpresë kanë pasur në të. Kur të kihet parasysh angazhimet e Baton Haxhiut kundër presidentit Rugova, kundër LDK-së, është e qartë se ai nuk ka qenë njeriu i përshtatshëm dhe neutral në moderimin e një debati të supozuar me tension dhe me dramacitet politik. A i kishte vënë shpresat opozita te mënyra e moderimit të debatit nga Baton Haxhiu, apo në këtë mënyrë po provon të hedhë një hap strategjik drejt devalvimit real të debatit për demarkacionin? Kur t’i shtohet kësaj edhe spekulimi mediatik lidhur me pjesëmarjen apo mospjesëmarrjen e kryeministrit Mustafa në atë debat, atëherë mund të pritet që të rikthehet përsëri bashkëpunimi dhe bashkërendimi i partive opozitare dhe të medieve e portaleve për të udhëhequr një tensionim dhe dështim të debatit, dhe për të kaluar edhe në forma të ndryshme dhe të papërshtatshme të veprimit politik dhe mediatik. Në anën tjetër devalvimi i rolit të ambasadorit amerikan, Greg Delawie në nivel moderatori, sidomos me rasyen se i ec fjala, vetëm sa e bën edhe më të dukshëm konfuzitetin dhe çoroditjen e partive opozitare. Dauti dhe në përgjithësi klasa politike, korpusi mediatik dhe opinioni pulik e di se ambasadori amerikan, Greg Delawie, përfaqëson supershtetin, aleatin kryesor strategjik të Kosovës, i cili me kohë ka bërë të qartë se çështja e demarkacionit është çështje e mbyllur. Po ashtu, Departamenti Amerikan i Shtetit ka dalë dy herë me qëndrime profesionale lidhur me Marrëveshjen e demarkacionit, kurse gjithë administrata amerikane, pra edhe vetë ambasadori Greg Delawie kanë mbështetur fort ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës. Është e qartë se ambasadori amerikan, Greg Delawie do të jetë i pranishëm në deabtin për demarkacionin edhe për të vëzhguar mbarëvajtjen e këtij debati, edhe për të përcjellë qëndrimin e Administratës amerikane lidhur me këtë çështje. Një çështje tjetër është çështja e të ecurit të fjalës, pasi që vëllai i Ramushit, Dauti nuk ka sqaruar se a e ka pasur fjalën për ecje të fjalës te Qeveria, dhe a do të thotë se te partitë opozitare nuk i ec fjala? Në këtë kontekst, duket sheshit se ai ka shprehur jo vetëm mungesë respekti qoftë edhe formal ndaj ambasadorit amerikan Greg Delawie, por edhe një lloj kundëramerikanizmi, që në mënyra të ndryshme është shfaqur edhe më herët nga AAK, e më qartësisht dhe më hapur nga sekta okulte të Albinit. Pas gjithë këtyre, mund të thuhet se si spekulimet rreth pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes së krymeinistrit Mustafa në debat, si zhgënjimi për tërheqjen e Baton Haxhiut nga moderimi i debatit, ashtu edhe me qasjen dhe qëndrimin ndaj ambasadorit amerikan, Greg Delawie, sikur paralajmërojnë për parapërgatitje të opinionit për ndonjë skenar jo të mirë dhe të rrezikshëm që do të mund të fillonte në sallën e debatit, e do të mund të dilte edhe jashtë saj.