Plani i Trump për ndërtimin e murit ndarës me Meksikën

02.08.2016 22:37:31

Kandidati republikan Donald Trump, ka hartuar një plan për ndërtimin e mijëra milie mur ndarës mes Amerikës dhe Meksikës.

Trump është shprehur i vendosur në zbatimin e premtimit të tij për ndërtimin e murit ndarës mes Amerikës dhe Meksikës në rast se ai zgjidhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë presidenti amerikan Barack Obama ka lëshuar kritikat ndoshta më të ashpra ndaj kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, teksa është shprehur se ai është i papërshtatshëm për këtë post, si dhe ka ngritur pikëpyetje nëse partia e tij e mbështet ende kandidimin e miliarderit njujorkez. Ka ardhur momenti, në të cilin kushdo mund dhe duhet të thotë: Mjaft!, u shpreh Obama.

Kandidati republikan Trump është kritikuar ashpër për sulmin ndaj prindërve të një ushtari amerikan të ndjerë, prindër që folën hapur kundër tij. Trump është dënuar gjithashtu edhe për mbështetjen që i ka dhënë aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë. Obama, gjatë një konference të dhënë nga Shtëpia e Bardhë, tha se vërtet ka pasur dallime në politikat e ndjekura prej tij krahasuar me presidentët e kaluar republikanë apo kandidatët e tyre, por shtoi se kurrë nuk ka menduar se ata nuk do ta bënin më së miri detyrën si president të SHBA-ve.