Debati i nesërm, shpresë për qartësim rreth Demarkacionit

02.08.2016 22:45:14

Kur kanë mbetur edhe pak orë për të diskutuar në debat publik lidhur me shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, Kryesia e Kuvendit u mbledh për tu koordinuar lidhur me agjendën dhe mbarëvajtjen e këtij debati.

Ndryshe nga paritë opozitare në pushtet, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit dy orësh, me shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët iniciues të debatit për demarkacionin me Malin e Zi, ka shprehur besimin se me këtë gjithëpërfshirje dhe transparencë do të arrihet në një përfundim pozitiv. Rezultate pozitive pret edhe deputeti, Shpëtim Bullqi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe iniciues i debatit.

I pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se tema për demarkacionin me Malin e Zi ka qenë e hapur thuaja që një vit por që për këtë nuk është diskutuar asnjëherë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

“Është një lajm i mirë për faktin që për herë të parë, pas një kohë kaq shumë të gjatë kemi arritur, dhe unë si kryetar i Kuvendit jam shumë i kënaqur me këtë koncensues të përbashkët që të kemi një debat në të cilin do të bisedohet për çështjen e shënimit të kufirit. Për arsyeje se është një çështje e cila është në interesin e gjithë qytetarëve tanë, e ka zgjuar edhe interesimin por në të njëjtën kohë edhe emocionet. Po besojmë shumë që me këtë gjithë përfshirje dhe transparencë do të arrijmë tek vendimmarrja përfundimtare e Kuvendit të Republikës së Kosovës për të shënuar edhe kufijtë tonë me fqinjët tonë shumë pozitiv siç e kemi Malin e Zi”, tha Veseli.

Dita e nesërme, sipas Veselit do të jetë dita e cila do të qartësojë shumë gjëra të cilat shpeshherë kanë qenë të paqarta për qytetarët e vendit. Madje, ai tha se duhet të jenë të gjithë të kënaqur pasi që në Kosovë po funksion demokracia.
“E patëm një takim ku u morëm vesh bashkërisht edhe me iniciuesit e kësaj iniciative për këtë tryezë, për mbarëvajtjen e kësaj tryeze. Dita e nesërme do të jetë një ditë e cila do të qartësojë shumë gjëra, të cilat shpeshherë kanë mundur të jenë të paqarta tek qytetarët tanë për çështjen e shënimit të kufirit. Duhet të jemi të gjithë të kënaqur, demokracia në Kosovë po funksionon, bashkëpunimi mes forcave politike dhe komunikim po funksionon, në të njëjtën kohë do të kemi edhe vendimmarrje të cilat do të jenë në interesat e qytetarëve dhe vendit tonë të përbashkët në mënyrën që të ecim bashkërisht përpara”, ka theksuar Veseli.

Deputeti i LDK, Shpëtim Bulliqi, njëherit edhe inicues i grupit të deputetëve për debatin, tha se esenca dhe synimi i thirrjes së këtij debati ka qenë që deputetët e Kuvendit të Kosovës të krijojnë opinionin e tyre, dhe të kenë informacione të mjaftueshme rrethe çështjes së demarkacionit.

Ai beson që në mënyrë pozitive do të ndikojë edhe për kryesinë e Kuvendit.

“Esenca e thirrjes së këtij debati nga grupi i deputetëve iniciues  e ka pas këtë synim që deputetët e Kuvendit të Kosovës të krijojnë opinionin e tyre, të kenë informacione të mjaftueshme rreth këtij procesi dhe në fund të vijë deri në një përfundim dhe besoj që kjo në mënyrë pozitive do të ndikoj edhe për kryesin e Kuvendit dhe unë besoj që deputetët do të ju lehtësohet shumë puna”, tha Bulliqi.

Por megjithatë, Bulliqi më shumë u ndal te agjenda që është paraparë në këtë debat, duke treguar se do të fillojë në ora 10:00, ku Komisioni Shtetëror për demarkacion edhe grupi i ekspertëve do t’i ballafaqojnë faktet.

“Debatin do ta përshëndet kryetari i shtetit, kryeministri i shtetit, një fjalë rasti do ta ketë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie. Pas ballafaqimit të komisionit shtetëror për demarkacionin dhe grupit të pavarur të ekspertëve dhe në fund do të jepet mundësia pjesëmarrësve tjerë në këtë debat, dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që me pyetjet të tyre t’iu drejtohen edhe komisionit shtetëror për demarkacion, por njëkohësisht edhe grupit të pavarur të ekspertëve për çështje tjera që iu interesojnë. Vendimi ishte unanim nuk pati asnjë kundër… Koha do të jetë e barabartë për të dyja komisionet për diskutim dhe shpresojmë në rezultat të favorshëm të këtij debati publik, i cili sigurisht që pozitivisht do të ndikoj në marrjen e vendimit përfundimtar në momentin që do të vij”, ka treguar Bulliqi.

Në fund të debatit të nesërm, grupet e Komisionit Shtetëror për Demarkacionin dhe grupi i ekspertëve të pavarur do t’i formulojnë konkluzionet e tyre ku do të ketë pajtueshmëri do të shkohet me pajtueshmëri, aty ku do të ketë divergjenca do të mbetën mendime të tyre.

Ndryshe, në debatin që do të bahet nesër, do të jenë pjesëmarrës rreth 83 mysafirë, përveç 120 deputetëve të Republikës së Kosovës, në të njëjtën kohë do të jenë edhe 16 organizata joqeveritare, 28 ambasada dhe përfaqësues diplomatikë.