Çollaku lë ministrinë e integrimit për tu bërë pjesë e kabinetit të Thaçit

09.09.2016 11:36:12

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka bërë të ditur se sot zyrtarisht nuk do të jetë më pjesë e kësaj ministrie.

Çollaku në një konferencë për media ka treguar se nga sot do të jetë pjesë e kabinetit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

“Kam vendosur ta lë pozitën e ministrit të Integrimit Evropian. Për këtë vendim jam konsultuar me kryeministrin dhe ai e ka aprovuar kërkesën time për këtë punë. Nuk po largohem si njëri që nuk ka arritur ti realizoj objektivat, përkundrazi dy objektivat të mia si ministër i Integrimit ka qenë nënshkrimi i MSA-së dhe hyrjes së saj në fuqi dhe e dyta ka qenë procesi i përfundimit për liberalizmin e vizave, ku detyra ime ka qenë që ti përmbushim kriteret dhe kjo është arritur, kriteri i dytë është ratifikimi i demarkacionit dhe këtu unë nuk kam ndikim sepse nuk kam të drejtë vote, e as ndikim tek deputetët”, ka thënë Çollaku.

Ai ka theksuar se vendimi për të lënë këtë pozitë nuk ka qenë për shkak se nuk ka arritur ti realizojë objektivat, por për shkak se sipas tij ka një vonesë të pa arsyeshme nga BE-ja për shkak të liberalizimit të vizave.

Çollaku i ka bërë thirrje BE-së që Kosovën ta trajtojë me prioritet dhe përgjegjësi të lartë siç ka bërë me shtetet tjera.