Coronavirusi në Kosovë, a do të jetë prilli muaji vendimtar për tejkalimin e pandemisë?

12.04.2020 08:13:00

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të shtunën se janë konfirmuar 33 raste të reja me coronavirus, duke çuar kështu në 283 numrin e personave të prekur me COVID-19 në Kosovë.

Nga numri i përgjithshëm i personave të infektuar të shtunën, 20 janë nga Komuna e Prishtinës.

E, kjo ka bërë që edhe kjo komunë, me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me Ferizajn dhe Suharekën, ngs sot të futen në karantinë.

Ndërsa, IKSHPK ka konfirmuar se deri  më 11 prill 2020, janë të shëruar gjithsej 58 persona të infektuar, kurse  me  COVID-19  janë shënuar shtatë raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Rasti i parë me coronavirus në Kosovë u shënua me datën 13 mars, kurse brenda një muaji ky numër ka arritur në 283, pavarësisht faktit se Qeveria e Kosovës nga 23 marsi ka marrë vendim për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Ndërkohë, me rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë disa zona me persona të prekur nga coronavirusi janë futur në karantinë, si masë preventive ndaj pandemisë.

Pavarësisht masave të ndërmarra dhe rekomandimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës  dhe institucione të tjera shëndetësore, numri i të infektuarve me COVID-19 ka vazhduar të rritet.

Ndërkohë, ekspertë të shëndetësisë, infektologë, epidemiologë e mikrobiologë kanë ngritur alarmin te qytetarët që t’iu përmbahen këshillave dhe tëëndrojnë në shtëpi tancën sociale, për të shmangur këtë pandemi.

“Masat restriktive (izolimi i rasteve, mbyllja e shkollave, ndalimi i tubimeve dhe ngjarjeve të ndryshme, distancimi i gjerë social përfshirë izolimin lokal dhe nacional) janë komponentë e rëndësishme në mbrojtjen e popullatës nga COVID-19.  Imperial College of London, duke përdorur modelet matematikore, vlerëson se deri më 31 Mars, me masat e zbatuara restriktive në 11 shtete evropiane janë shmangur rreth 59.000 vdekje.

Sipas studimit vlerësohet se 7-43 milion njerëz janë infektuar nga virusi (deri më 28 Mars), i cili përfaqëson 1.9-11.4% të popullsisë së përgjithshme të Evropës”, ka thënë të shtunën mikrobiologu, Lul Raka.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë muaji prill në Kosovë do të jetë vendimtar për  të shmangur një përhapje më masive të kësaj epidemie.

Ndërkohë, sot pritet që Ministria e Shëndetësisë të dalë me vendim të ri lidhur me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.