COVID-19 në Gjermani/ Merkel: Koronavirusi sfida më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore

23.04.2020 13:14:53

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se kontrollimi i situatës së virusit ishte një sfidë e madhe për kohezionin e Evropës. “Kjo është sfida më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, për jetën dhe shëndetin e popullit tonë.”– ka deklaruar ajo nga Parlamenti gjerman.

Pasditen e ditës së sotme ajo do të bashkohet me liderët e tjerë të BE-së në një video-konferencë për krizën.

Ajo tha se duke vazhduar “me disiplinën maksimale, ne mund të kthehemi të jetojmë në siguri më shpejt”.  Ndër të tjera Merkel ka paralajmëruar se një disiplinë e tillë ishte e nevojshme për të shmangur për të ndalur rinisjen e izolimit.

“Ne nuk mund të humbim atë që e kemi arritur tashmë.”-  ka thënë ajo, teksa ka përgëzuar efikasitetin e sistemit shëndetësor të Gjermanisë dhe asistencën e forcave të armatosura në luftimin e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Merkel ka thënë se vendimet e qeverisë së saj ndaj krizës “nuk kanë model historik”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kancelarja gjermane u shpreh se Evropa duhet të rrisë kapacitetin për të prodhuar pajisje speciale mjekësore, në vend që të varet nga furnizimet globale. Instituti gjerman, Robert Koch ka konfirmuar mbi  150 mijë infektuar si pasojë e koronavirusit të ri në Gjermani, ndërsa kanë vdekur deri më tani 5,318 të tjerë.

Në rang global humbur jetën 184,263 qytetarë dhe rezultojnë të infektuar 2,639,025 qytetarë. Vendet më të prekura janë SHBA-ja, Italia, Franca, Spanja dhe Kina. Deri më tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur jetën 47,681 qytetarë dhe rezultojnë të infektuar 849,092 të tjerë. Situata është më e qetë në Kinë, pasi gjatë orëve të fundit janë konfirmuar vetëm 10 raste të reja me COVID-19 dhe numri i viktimave në total është 4,632. Në Itali numri i viktimave ka shkuar në 25,085 dhe në Spanjë kanë humbur betejën me COVID-19 22.157 qytetarë. Ndërkohë në Francë janë shënuar 21,340 viktima.