Sveçla inspektoi dhe dha urdhër kundër rekomandimeve të policisë për heqjen e rrethojave tek qeveria

23.04.2020 13:02:57

Qeveria e Kosovës dhe ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka marrë fare parasysh paralajmërimin e policisë për heqjen e rrethojave tek objekti i qeverisë së Kosovës.

Lajmi.net ka siguruar letrën e drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, në të cilën bëhet e ditur se ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar që pjesa ku janë hequr rrethojat, të shndërrohet në një shteg për këmbësorë.

Policia në përgjigjen e saj ka rekomanduar që një gjë e tillë të mos bëhet për shkaqe sigurie. Në përgjigjen e policisë thuhet se në hapësirën ku planifikohet të hapet ky  shteg për këmbësorë, janë të pozicionuara tri objektet kryesore shtetërore, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi.

Qalai ka dërguar rekomandimet e Policisë sekretarit të Ministrisë së Brendshme, Arton Berisha, të cilit i tregon se njësitet relevante të Policisë e kanë analizuar terrenin.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, MPB ka vendosur që të të hiqen rrethojat nga kjo hapësirë.

“Ekipi i NJVKRR-së (Njësia për Vlerësimin e Kërcënimit dhe Rrezikut) ka dalë në terren ku drejpërsëdrejti nga Zv.ministri i MPBAP’së, z. Sveçla,  dhe zyrtarët e Administratës Publike ka marrë informatat ideore se ku planifikohet të shtrihet hapësira për kalimin e këmbësorëve dhe menjëherë ka filluar me kujdes të analizojë informatat në dispozicion sa i përkët sigurisë së tre (3) objekteve të isntitucioneve kryesore të vendit e posaçërisht sigurinë e këtyre objekteve në rast se vendoset që hapësira për kalimin e këmbësorëve të realizohet”, thuhej mes tjerash në letrën e Qalajt.