Daçiq: Serbia është e gatshme ta vazhdojë dialogun

31.12.2018 21:02:22

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se nuk ka shumë zgjidhje të ofruara në dialogun me palën kosovare në Bruksel. Ai  tha se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën.

Daçiq, në një deklaratë për mediat serbe, tha se për momentin askush nuk është përgjigjur se çfarë nënkupton kompromisi.

“Nuk ka shumë zgjidhje të ofruara në tryezë. E di për një korrigjim kufijsh, por ka edhe të tjera që ta njohim Kosovën, të cilën ne nuk do ta pranojmë, apo që Kosova të jetë një krahinë në Serbi, të cilën ata nuk do ta pranojnë”, tha Daçiq.

Ai paralajmëroi se nëse nuk do të ketë kompromis ashtu, sikurse kërkon Beogradi, atëherë ‘nuk do të pranojnë që ata kërkojnë’, duke aluduar në kërkesën e Prishtinës zyrtare për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

Daçiq foli edhe lidhur me mundësinë e ndryshimit të formatit të bisedimeve dhe përfshirjen e SHBA-së në dialog.

“Prishtina, para së gjithash, kërkon ndryshim të formatit të dialogut dhe përfshirjen e SHBA-së, por janë kundër përfshirjes së Rusisë”, tha Daçiq, duke potencuar se, lidhur me këtë askush asgjë nuk ka vendosur, dhe se gjithçka është në nivel dëshirash,përcjell Telegrafi.

“SHBA-të nuk kanë ndonjë dëshirë të jenë pjesë formale e dialogut. Nëse dikush vërtetë dëshiron që të përfshihet SHBA, ne do të kërkojmë të përfshihen edhe Kina e Rusia” tha Daçiq.

Ai tha se Serbia është e gatshme që nesër të vazhdojë dialogun, “pasi konsiderojmë se kjo është në interesin e stabilitetit të rajonit”.

“Prishtina vazhdimisht po bën disa veprime të njëanshme, siç është aplikimi i taksës formimi i ushtrisë. Prishtina është pengesa më e madhe për dialog dhe arritjes së ndonjë zgjidhje të përhershme”, tha ai.