Nga Shqipëria: Myftiu Ylli Gurra, Data e zgjedhjeve nuk është shqetësuese për ditën e Bajramit

20.05.2017 16:04:46

Myftiu i Tiranës Ylli Gurra ka thënë se përkimi i fushatës zgjedhore dhe datës së zgjedhjeve më 25 qershor, me muajin e shenjtë të Ramazanit dhe ditën e Bajramit të Madh, nuk është diçka shqetësuese për komunitetin besimtar mysliman.

“Në emër të komunitetit mysliman, bëjmë thirrje për një proces të qetë e të rregullt zgjedhor. Muaji i Ramazanit duhet të jetë i kthjellët për besimtarët dhe çdo besimtar të përkushtohet me devotshmëri, – u shpreh Gurra në një deklaratë për mediat. – I drejtohemi klasës politike, që gjatë këtij muaji, të jenë të kujdesshëm, të matur, të krijohet një atmosferë sa paqësore aq edhe komunikuese, në përputhje me vlerat e Islamit. I sqarojmë të gjithë besimtarët, se e drejta e votës dhe e votimit, është përgjegjësi sa historike, aq edhe vendimtare e momentit, ndaj ne dëshirojmë e apelojmë që atmosfera në këtë muaj të shenjtë të jetë e qetë. Nuk ka asnjë arsye apo gjë tjetër për të ushqyer ndonjë tendencë kundër përkimit të datës së zgjedhjeve me muajin e shenjtë të Ramazanit dhe ditën e Bajramit të madh”, – tha Myftiu i Tiranës.

Deklaratat e Gurrës vijnë një ditë pasi Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të shtyjë zgjedhjet, pasi 25 qershori përkon me festën e Bajramit të madh.