Darka e fundit, histori dashurie e force

25.12.2017 09:32:25

Darka e fundit është romani juaj i tretë, i sjellë përsëri për lexuesin nga “Botimet Dudaj”, a mund të na tregoni si ju lindi ideja për të? Momenti kur nis ta shkruaj një libër për mua nuk është një moment konkret me një ide të caktuar, ndaj dhe nuk e fiksoj dot që ta ruaj në kujtesë. Nuk e di kur lindi ideja e Darkës së fundit, di që një mbasdite u ula të shkruaja në kompjuter mendimet që kishin ditë që më silleshin përbrenda si një vorbull ere që i shtynte anash mendimet e tjera, dhe kjo pa një shkak të dukshëm. Por sigurisht që subjekti është një pjese nga e gjitha jeta që më rrethon mua dhe të gjithë ne. Gjithçka është e shkruar që në fillim. Ne lindim, dashurojmë e vdesim në mënyra të ndryshme, por e gjitha ndodh në këtë cikël. Ajo që ndryshon në romane është mënyra e rrëfimit. Tek “Darka e fundit” Ema rrëfen historinë e Diana Rirës, gruas që i mësoi se vdekja është një proçes krejt i natyrshëm e që nga dhimbje mund të kthehet në forcë për të jetuar çdo minutë të jetës tek ata që mbeten.

Është “Darka e fundit” një histori më shumë për jetën apo për vdekjen? “Darka e fundit” është një histori dashurie! Historia e dashurisë së Dianës për Dejvin që rrjedh brenda gjakut të të dyve që nga një jete që kanë pasur së bashku përpara më shumë se 400 vjetësh e që kurrë nuk përfundon. Është një dashuri që më shumë sesa ndjenja, ka brenda jetën e secilit, çdo mendim, çdo ngjarje apo çdo moment që jetojnë të dy pa qënë bashkë. Është kaq e madhe ajo sa duket si një diçka konkrete që ju përket të dyve, që ju dhemb të dyve e që ju mungon njësoj kur tjetri nuk është. Ashtu siç thotë Charlotte Bronte në Xhejn Er : “Çdo pjesë tënden e dua, sikur të më kishte takuar gjithmonë mua, sikur të ishte pjesë e imja”, Diana e Dejvi kanë qënë bashkë kur Leonardo Da Vinci punonte “Darkën e fundit” në Kishen “Santa Maria delle Grazie” në Milano, e janë ende pjesë e njëri –tjetrit në shekullin 21 kur Diana pranon pa kushte (si ç’do njeri) vdekjen e saj të paralajmëruar. A ka një mënyrë tjetër për t’u përballur me vdekjen përveçse pa kushte? Jo sigurisht, ndryshimi qëndron tek ajo që zgjedhim të lëmë tek ata që mbeten pas nesh. Diana Rira zgjedh të përcjellë forcën, prandaj unë them se “Darka e fundit” është një histori dashurie e force. Dashuria për të birin, pasioni për librat dhe forca e lidhjes me Dejvin, i mjaftojnë për të mos u dorëzuar. Deri në fund është ajo që kujdeset që t’u lehtësojë dhimbjen për ikjen e saj atyre që i kanë mbushur jetën. Ajo thotë: Njeriu mund të jetojë edhe 100 vjet dhe të jenë të 100-ta të mjera, atëherë po, duhet të qash për të, por unë nuk bëj pjesë në këtë.

A është autori brenda librave të tij? A je ti brenda Darkës së fundit apo romaneve të tjera? Shkrimtarët, besoj unë, zgjedhin të jenë jashtë subjektit, përveç rasteve kur shkruajnë autobiografi, por jashtë librit nuk munden, edhe pse nuk është kjo zgjedhja që duan në të gjitha rastet. Ai që shkruan është aty pas çdo mendimi të personazheve, pas cdo preference, kënaqësie, inati, sado që përpiqet të ndërtojë larmishmëri karakteresh. Jam unë brenda Dianës, jam brenda gjakut së saj për dashurinë ndaj të birit sepse unë di si ndjen një nënë, jam brenda zemrës për dashurinë ndaj Dejvit sepse unë di si dashuron një grua, jam brenda mendjes së saj për preferencat e saj për autorë e libra… Dua të them, edhe pse fantazia dhe trilli e bëjnë një roman të lindi, brenda çdo fjalie të tij, është mendimi dhe një pjesë shpirti e autorit. A e bën kjo jetën e shkrimtarëve shumë më të pasur se të njerëzve të tjerë. Unë mund të them si ndikon kjo në jetën time. Nuk ndihem asnjëherë vetëm!

Me cilin prej personazheve tuaj të këtij libri do e identifikonit më shumë veten? Eshtë ajo që thashë më sipër. Në secilin personazh ka nje copëz timen. Asnjërin nuk do e veçoja si identikit timin, por mund t’ju them cili është personazhi që kam dashur më shumë nga Darka e fundit. Dejvi. Më është dashur të mendohem shumë për ndërtimin e tij për dy arsye. Së pari sepse duhej të ishte një personazh shumë i plotë dhe tërheqës, për ta vendosur si partner të Dianës. Së dyti, karakterin e tij duhej ta nxirrja në pak rrjeshta pasi ai nuk është aq i pranishëm në libër sa është Diana apo edhe Ema që janë shtyllat e romanit. A keni nisur të shkruani një libër tjetër? Po. Akoma nuk i kam gjetur një titull, këtë gjithnjë e bëj pasi e kam përfunduar së shkruari, por deri në atë moment e quaj në emrin e personazhit kryesor. Libri që po shkruaj është historia e Alishës. Së fundi, a është romani Darka e fundit libri më i mirë që keni shkruar? Për mua po. Deri tani.