Deklarata e frikshme, OBSH: Pandemia ka marrë hov, 100 mijë të prekur në 4 ditë

24.03.2020 14:35:03

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus është shprehur se pandemia e koronavirusit ka marrë “hov” duke u përhapur masivisht dhe më shumë se kurrë.

“Janë dashur 67 ditë nga rasti i parë për të arritur në 100,000 raste; 11 ditë për 100-mijëshin e dytë dhe vetëm katër ditë për 100-mijëshin e tretë”, ka thënë Ghebreyesus në një konferencë për media në Gjenevë.

Gjithashtu në fjalën e tij, Tedros tha se do të kërkojë nga G20, grupi ndërkombëtar i qeverive dhe drejtuesit e bankave qendrore, që të rrisin prodhimin e pajisjeve mbrojtëse personale për mjekët dhe infermierët dhe të shmangin infektimin e tyre.

“Ne kemi nevojë për unitet midis vendeve të G20 që kanë më shumë se 80% të PBB-së globale. Nëse nuk u japim përparësi mbrojtjes së punonjësve të shëndetit shumë njerëz do të vdesin pasi ata u shpëtojnë jetën,”-shtoi ai.

Disa ditë më parë, zyrtarët e OBSH paralajmëruan se shpërthimi mund të mposhte sistemet shëndetësore në të gjithë botën në vetëm disa javë. Sot numërohen më shumë se 330 mijë të infektuar në të gjithë botën dhe disa dhjetra mijëra të vdekur. Vendi më i prekur është Kina, e cila tashmë e ka marrë veten tërësisht, ndërsa në Europë është Italia.