Deklarata e Ilir Dedës që trazoi Hashim Thaçin e PDK’në

20.10.2016 20:56:18

Sonte në emisionin “Komiteti Qendror” deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka folur për deklaratën e tij të ashpër kundër Hashim Thaçit dhe Partisë Demokratike të Kosovës, e cila u citua edhe nga revista “The Economist”.

Në vitin 2010, Deda e kishte quajtur PDK’në, në krye me Thaçin, “korporatë të përbashkët kriminale”, deklaratë kjo që kishte bërë bujë të madhe, pasi u citua nga mediat e mëdha ndërkombëtare.

Ai ka thënë se në atë periudhë kohore, kur PDK kontrollonte çdo sferë dhe çdo institucion në Kosovë, liria e shprehjes ka qenë një betejë shumë e madhe.

“Kërcënimet e mundshme si pasojë e kësaj deklarate nuk i kam marrë për seriozisht, për shkak të naivitetit, i cili në fakt ishte një lloj force në kohën kur liria e shprehjes ishte betejë e fortë”, ka thënë Deda në “Komiteti Qendror”.

Deda kujton se deklarata e tij, që atë kohë shihej si diçka e jashtëzakonshme, u konfirmua pas disa viteve nga klani “Pronto”.