Dekreti për ligjin e mbetjeve më 4 shkurt në seancë plenare

17.01.2017 14:36:03
Dekreti i Presidentit që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” do të shqyrtohet në seancë plenare më 4 shkurt.
Kalendari trejavor i punimeve, i miratuar të hënën në parlament, ka caktuar seancën e parë të shkurtit për shqyrtimin e tij.

Dekreti, i depozituar në parlament më 14 tetor, nuk arriti të kalonte në seancën e fundit të sesionit kuvendor në dhjetor, ndërsa maxhoranca u shpreh e hapur për çdo propozim konkret që do vinte si nga shoqëria civile, nga deputetë apo dhe qytetarë, dhe që í kontribuonte përmirësimit të ligjit mjaft të debatuar dhe të kontestuar nga OJF-të, por dhe opozita. Këto të fundit shprehin shqetësim për rrezikun në rritje të mjedisit nga industria ricikluese.

“Jemi vullnetplotë për çdo lloj sugjerimi që bën sens. Por, ajo që asnjëherë ne nuk do donim të lejonim ishte atrofizimi i kësaj industrie apo largimi i saj jashtë Shqipërisë”, shprehet Eduard Shalsi, një nga deputetët nismëtarë të ligjit në fjalë, njëkohësisht kryetar i komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, përgjegjës për draftin.

Më 22 shtator, mes debatesh dhe polemikash, maxhoranca miraton me 63 vota në parlament ndryshimet në ligjin “për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që synonin t’i hapnin rrugën rilejimit të importit të mbetjeve të ngurta, jo të rrezikshme, si lëndë e pare për nevojat e industrisë ricikluese në vend.

Opozita e kundërshtoi ashpër amendimin e ligjit, që sipas saj është bërë për interesa korruptive. Por, kryeministri Edi Rama tha ne parlament se ndryshimet janë në linjë me direktivën e BE-së për të stimuluar zhvillimin e industrisë së riciklimit në vend. Ligji i 2013-s, sipas kreut të qeverisë, nuk garantonte mbrojtjen e vendit nga plehrat e rrezikshme.

Një javë pas miratimit të ligjit, më 29 shtator Partia Demokratike e opozitës i paraqiti parlamentit kërkesën e 28 deputetëve për mbajtjen e një referendumi lidhur me importin e mbetjeve.

Në kërkesën e saj, PD thekson se lejimi i importit për lloje të caktuara mbetjesh rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa krijon mundësi për lejimin e importit të mbetjeve të rrezikshme, gjë që bie ndesh me objektivat në fushën e ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Jashtë parlamentit ligji u debatua gjerësisht nga përfaqësues te biznesit dhe shoqëria civile, nëse lejimi i importit të mbetjeve për riciklim rrezikonte qytetarët, per shkak te ndotjes mjedisore. Por, përfaqësuesit e industrisë ricikluese i hedhin poshtë qëndrimet e shoqërisë civile për rritjen e ndotjes ne mjedis nga procesi i riciklimit. Sipas tyre, problemi kryesor i ndotjes vjen nga moszbatimi i ligjit nga autoritetet vendore, që nuk i ndajnë mbetjet urbane dhe nuk i bëjnë të gatshme për riciklim, ndërkohe qe shumë fabrika janë në prag të falimentit.

Ndërsa shoqatat e industrise ricikluese pretendojnë se rreziku i ndotjes nga importi i mbetjeve është thuajse zero, pasi procesi ne fabrikat e tyre përmbush standardet në transport dhe përpunim, ndërsa numri i firmave importuese është i kufizuar.

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, në argumentet e parashtruara ne dekretin qe ktheu per rishqyrtim ligjin ne fjale arsyeton vendimin e tij duke u shprehur se ligji “është në kundërshtim me Direktivën europiane 2008/98/EC , sipas së cilës, duhet të zbatohet parimi i “vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë” që do të thotë se çdo shtet duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe mbetjet duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit, dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë”.

Një jave pas mosdekretimit nga Presidenti, me 21 tetor kryetari i Kuvendit, Ilir Meta propozoi një ekspertizë të thelluar të Bashkimit Europian lidhur me ligjin ne fjale.

Gati nje muaj me vone, BE ktheu përgjigje për ligjin e mbetjeve duke e konsideruar “të mirëpërshtatshëm për vendin”.

“Duke vlerësuar situatën specifike të Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbetjeve, dhe mungesës së infrastrukturës së përshtatshme për menaxhimin e mbetjeve në vend, ne besojmë se amendimet në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, janë të mirëadoptuara dhe të përshtatshme për Shqipërinë në këtë moment”, citohet pergjigja e ekspertëve të BE-së.

Në këtë klimë debati dhe polemikash është me mjaft interes qëndrimi që do të mbajë Kuvendi ndaj dekretit të presidentit, ndërsa industria ricikluese është në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit, i miratuar katër muaj më parë.