Delegacioni amerikan për Liqenin e Ujmanit vazhdon takimet edhe përgjatë ditës së sotme

20.10.2020 13:48:08

Ambasada e Amerikës në Kosovë ka njoftuar se delegacioni amerikan për Liqenin e Ujmanit do të vazhdojë takimet edhe përgjatë ditës së sotme.

Edhe pse nuk është bërë e ditur se me kë do të zhvillohen këto takime, nga Ambasada u theksua se përgjatë takimit të sotëm në diskutim përfshihet menaxhimi i burimeve të energjisë së ujit.

“Sot, diskutimet do të përqendrohen në atë se si bashkëpunimi ndërkufitar për menaxhimin inteligjent të ujit dhe burimeve të energjisë do të tërheqë investime të reja dhe do të rezultojnë në përfitime ekonomike afatgjata për të dyja, Kosovën dhe Serbinë”,thuhet në njoftimin e ambasadës.

Kurse përgjatë ditës së djeshme, delegacioni në fjalë zhvilluan takim me kryeministrin Avdullah Hoti, për të diskutuar lidhur me marrëveshjen e arritur në SHBA, si dhe për hapat e ardhshëm për një studim të fizibilitetit të menaxhimit të burimeve në Liqenin e Ujmanit.