Demokratët kundër Trump, emëroi dhëndrin këshilltar në Shtëpinë e Bardhë

10.01.2017 11:35:15

Demokratët kanë kundërshtuar veprimin e ndërmarrë nga presidenti i zgjedhur Donald Trump për të emëruar dhëndrin e tij si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuat këtë një emërim nepotik në konflikt të hapur interesi.

Një grup demokratësh amerikanë kanë kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë dhe Zyra e Etikës në Qeveri që të shqyrtojnë nga pikëpamja ligjore emërimin e Jared Kushner, 36 vjeç, bashkëshorti i vajzës së Donald Trump në postin e këshilltarit të lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Bashkëshorti 36-vjeçar i vajzës së miliarderit Ivanka, luajti një rol kyç gjatë fushatës presidenciale dhe detyra e tij e re do të mbulojë politikën e brendshme e të jashtme.

Kushner është një ndërtues me gamë të gjerë interesash biznesi dhe emërimi i tij pritet të ndeshet me kundërshti të forta për shkak të shqetësimeve për nepotizëm dhe konflikte interesi.